Deputeti nga radhët e LDK-së Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti për mungesë të qeverisjes së duhur, shkruan Fol Drejt.
Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se Kosova nuk po qeveriset, pasi që sipas tij, kryeministri Kurti më shumë po rri jashtë vendit dhe se nuk po promovon projekte e punë të reja:
Hoti ka përmendur katër problemet me të cilat po përballet Kosova aktualisht, e për të cilat sipas tij Qeveria Kurti nuk ka ndërmarrë asnjë hap për zgjidhjen e tyre.
1. GREVA NË ARSIM: Asnjë përpjekje nga qeveria për të parandaluar grevën. Viti i ri shkollor mund të mos fillojë sipas planit. Qeveria nuk po bisedon me sindikata për të gjetur një zgjidhje që i merr parasysh kërkesat e sindikatave dhe mundësitë buxhetore.
2. KRIZA ME RRYMË: Asnjë plan se si do të kalojmë dimrin që po vjen. Situata është kritike në mes të verës. Askush nuk di pse në mes të verës ka reduktime kur konsumi i energjisë është relativisht i ulët. Çmimi i drurit dhe peletit, si alternativë për ngrohje, është dyfishuar që tani. Ndërmarrjet e energjisë elektrike (KEK, KEDS, KESKO e KOSTT) janë në kaos sa i përket borxheve ndaj njëra-tjetrës.
3. INFLACIONI: Asnjë masë nuk është ndërmarrë – as rritje e pagave e as ulje e përkohshme e tatimeve. Inflacioni ka arritur në 19%, e jo 14% siç e nxjerrin shifrat zyrtare. Rritja e çmimeve të lëndëve të para ka paralizuar aktivitetin ekonomik të shumë firmave. Asnjëherë nuk është takuar “Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik” për të diskutuar për sfidat e bizneseve.
4. DIALOGU: Transparenca është zero. Askush nuk di se çfarë po bisedohet në Bruksel. Opozitën e informojnë ndërmjetësit e dialogut se çfarë po ndodh dhe çfarë po i kërkohet Kosovës./FolDrejt/