Irani furnizon Rusinë me qindra dronë luftarakë për të ndihmuar në luftën e saj kundër Ukrainës, sipas zyrtarëve të inteligjencës perëndimore.
Avionët transportues u nisën nga Irani më 19 gusht, në të cilët ishte ngarkesa e parë e dronëve për të ndihmuar forcat ruse, raportoi “Washington Post” të hënën vonë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Dronët janë të aftë të mbajnë municion për sulme ndaj stacioneve të radarit, artilerisë dhe objektivave të tjera ushtarake, sipas informacioneve të mbledhura nga SHBA-ja dhe agjenci të tjera të inteligjencës.
Furnizimi i këtyre armëve tregon një aleancë të qartë midis Rusisë dhe Iranit, ndërsa Moska dhe Teherani vazhdojnë planin e tyre të përbashkët në një përpjekje për të fituar avantazh në luftën e Ukrainës.
Megjithatë, për aq sa dërgimi i këtyre armëve mund të forcojë ofensivën ushtarake të Rusisë, raportet nga zyrtarët e sigurisë amerikane thonë se dronët e rinj kanë hasur në vështirësi teknike, dhe se armët iraniane kanë patur dështime të shumta gjatë testimit fillestar.
“Sistemi i tyre ka disa gabime. Rusët nuk janë të kënaqur”, sipas një zyrtari të sigurisë aleate të intervistuar nga “Washington Post”.
Ushtria ruse ka akses midis 1500 dhe 2000 dronëve vëzhguese, por dërgesa iraniane i ofron Rusisë armë të cilat i mungojnë: dronë sulmues të aftë për të kryer sulme precize kundër objektivave thellë brenda territorit të armikut.
Në anën tjetër të fushës së betejës, Ukraina ka përdorur dronët luftarakë të prodhuara nga Türkiye që kanë qenë efektivë në shkatërrimin e mjeteve të blinduara, kamionëve dhe artilerisë ruse.
Përveç kësaj, SHBA-ja ka ndihmuar gjithashtu Ukrainën me Sistemin e Raketave të Artilerisë së Lëvizshmërisë së Lartë (HIMARS), i cili mund të lëshojë raketa të shumta me saktësi në depot ruse të municionit dhe furnizimet logjistike nga mbi 80 kilometra larg.
“Rusët nuk kanë asnjë mënyrë për të frenuar dëmet që HIMARS po u shkakton atyre tani”, tha në një intervistë Dmitri Alperovitch nga qendra think-tank Silverado Policy Accelerator me bazë në Washington, DC. “Ata shpresojnë se dronët sulmues mund tu ndihmojnë”, tha ai.
Administrata e Presidentit Joe Biden e paralajmëroi Teheranin që të mos i dërgonte dronë Rusisë, por zyrtarët e inteligjencës thanë se këto paralajmërime u injoruan.
Megjithëse armët konsiderohen të jenë ndër dronët më të sofistikuara të Iranit, cilësia e tyre e dobët i ka treguar shumë nga këta dronë luftarakë të paefektshëm në këtë pikë./FolDrejt/