Bashkimi Evropian ende nuk e di nëse presidenti kinez Xi Jinping, gjatë vizitës së tij në Moskë, ka diskutuar për dërgimin e armëve në Rusi dhe është duke pritur për më shumë informacione për të marrë një pozicion, tha sot një zyrtar i lartë i BE-së.
“Ne presim të shohim se çfarë u diskutua dhe cilat janë pasojat e asaj vizite. Kur Presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel u takua me Presidentin Xi Jinping (në vitin 2022), ishte e qartë se Kina nuk ka ndërmend të dërgojë armë në Rusi. Ne jemi duke pritur për të parë se kjo është e vërtetë, a i ndryshon ky takim parametrat dhe cilat do të ishin pasojat e kësaj,” u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i BE-së, i cili donte të qëndronte anonim.
Udhëheqësit e BE-së zhvilluan një diskutim strategjik për Kinën në tetor 2022. Shërbimet e politikës së jashtme të BE-së deklaruan, në një dokument të përgatitur për këtë diskutim të liderëve, se Pekini tani duhet të mendohet kryesisht si një konkurrent që promovon një “vizion alternativ të rendit botëror”./FolDrejt/