Ministri i Punëve të Jashtme i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, ka deklaruar se NATO nuk është në luftë me Rusinë, një pohim i përsëritur shpesh nga Perëndimi, që është hedhur poshtë nga Rusia, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“NATO nuk është në luftë me Rusinë. NATO as nuk ka nisur një operacion special ushtarak undër Rusisë”, shkroi Landsbergis në twitter.
“Rusia është duke u mundur nga ukrainasit, jo nga NATO. Kjo po bëhet e turpshme për disa njerëz dhe kjo tregon”, shtoi ai.
Rusia thotë se dërgimi i armëve të avancuara në Ukrainë nga anëtarët e NATO-s është dëshmi e përfshirjes së saj në luftë. Megjithatë, NATO këmbëngul se mbështet Ukrainën në të drejtën e saj për vetëmbrojtje.
NATO argumenton se detyra e saj kryesore është të mbajë të sigurt 30 anëtarët e saj dhe të sigurojë që konflikti të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet përtej Ukrainës.
Sot më herët, presidenti rus, Vladimir Putin, pezulloi pjesëmarrjen e vendit në traktatin bërthamor ‘New START’ që synon të kontrollojë dhe reduktojë armët bërthamore strategjike të vendosura nga SHBA-ja dhe Rusia.
Në përgjigje, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Rusisë që ta rishqyrtojë vendimin e saj.
Duke iu referuar akuzës së presidentit Putin se Perëndimi provokoi dhe përshkallëzoi konfliktin në Ukrainë, Stoltenberg tha se “askush nuk po sulmon Rusinë, Rusia është agresori”./FolDrejt/