Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se sot e ka nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen për njohjen reciproke të patentë shoferëve me Republikën Federale të Gjermanisë.
“Me kënaqësi e kam pranuar ftesën nga z. Oliver Luksiq, sekretar shtetëror në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës Digjitale, duke pasur parasysh që ky është një nga proceset më të rëndësishme por edhe lehtësuese për mërgatën tonë”, ka thënë ai në një postim në rrjetin social Facebook.
Sveçla ka deklaruar se mërgata ka dhënë shumë për vendin, por edhe në shtetet ku ata jetojnë.
“Lehtësimi i jetës dhe veprimtarisë së mërgatës sonë është para se gjithash obligim i yni, i cili duhet arritur bashkë me aleatët tanë, në të gjitha vendet ku ata veprojnë.”
“Ambasada jonë në Berlin dhe gjashtë misionet tona konsullore në Gjermani janë të angazhuara maksimalisht në asistimin e qytetarëve për procedurat që duhet të ndiqen për të konvertuar patentë shoferët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla.