Ambasadori i BE-së në Prishtinë Tomas Szunyog përçoi mesazhin e tij për popullin e Kosovës me rastin e shënimit të 9 Majit, Ditës së Evropës.
Në një video-adresim përmes Facebook-ut, ambasadori Szunyog ka thënë se kjo ditë përfaqëson kremtimin e vlerave të përbashkëta te të cilat besojmë dhe se Dita e Evropës u përket qytetarëve të Kosovës po aq sa edhe atyre të Bashkimit Evropian.
“Kjo është mundësia e parë që më jepet që ta përgëzoj popullin e Kosovës, teksa kremtojmë së bashku Ditën e Evropës. 9 maji na përkujton unitetin dhe fatin e përbashkët të unionit tonë, dhe partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor. Kjo ditë na përkujton të gjithëve. Kjo ditë u përket kosovarëve po aq sa iu përket qytetarëve të BE-së. Ajo përfaqëson kremtimin e vlerave të përbashkëta te të cilat besojmë. Kosova e ka të ardhmen në Bashkimin Evropian dhe nuk ka alternativë ndaj rrugës evropiane. BE nuk do të jetë e plotë pa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Është besimi im i palëkundur, se përkundër sfidave të sjella nga pandemia përkundër ndonjë dallimi të përkohshëm në opinione, roli i BE-së nuk do të pakësohet kurrë dhe BE-ja do të vazhdojë të jetë partneri më i afërt i Kosovës”, tha Szunyog.
“BE ka siguruar resurse financiare për luftimin e efekteve sociale dhe ekonomike të krizës aktuale, me ndihma humanitare, grante dhe kredi. Por, ne do të bëjmë edhe më shumë. Të gjithëve na ka prekur, dhe së bashku duhet ta luftojmë. Prandaj, le të qëndrojmë së bashku sot, për ta shënuar Ditën e Evropës, dhe të kremtojmë vlerat e përbashkëta mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Szunyog.