Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Bedri Hamza, ka paraqitur para deputetëve arsyen se pse kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme.
Ai tha se kjo kërkesë ka ardhur duke u bazuar në sjelljet dhe veprimet shpërfillëse të kryeministrit Albin Kurti në raport me këshillat nga përfaqësues të lartë të SHBA-së për zhbllokimin e dialogut dhe ecjes së Kosovës drejt integrimeve evropiane.
Hamza tha se PDK i merr me shqetësim paralajmërimet e fundit për Kosovën nga SHBA për tërheqjen e trupave ushtarake dhe suspendimin e programeve zhvillimore qindra-miliona dollarë.
“Republika e Kosovës në fazën vijuese përfundimtare të dialogut duhet ta zhvillojë në koordinim dhe bashkërendim të ngushtë me aleatët perëndimorë, SHBA-të, BE-në, në mënyrë që përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave kombëtare në këtë proces të jetë në vijimësi të kontributit të partnerëve strategjik sikur në fazën e luftës për liri, shtet-krijimin dhe konsolidimin e tij, po ashtu edhe për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Përcaktimi i orientimit gjeostrategjik të Kosovës përfundimisht është vendosur me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës të shpallur me 17 shkurt 2018, ku mes tjerash përcaktohet miqësia e përjetshme me SHBA dhe një miqësi nuk duhet lejuar të cenohet nga Qeveria e Kosovës”, tha ai.