Disa shtete indiane njoftuan sot se do të zgjasin bllokadën e futur për shkak të COVID-19 në mënyrë që të ndihmojnë në shtypjen e pandemisë, e cila mori më shumë se 270.000 jetë në këtë vend, ndërsa qeveria federale është zotuar të rrisë stokun e vaksinave.
Shtetet veriore të Delhit dhe Haryana zgjatën bllokimin, të planifikuar të mbarojnë të hënën, për një javë tjetër.
Qeveria indiane ka njoftuar se do të dërgojë 5.1 milionë doza shtesë të vaksinës antiCOVID-19 në shtetet në tri ditët e ardhshme.
Megjithëse India është vendi që prodhon më shumë vaksina në botë, vetëm 141.6 milionë njerëz morën të paktën një dozë të vaksinës, ose afërsisht 10 për qind e popullsisë së saj prej 1.35 miliardë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Vendi ka vaksinuar plotësisht pak më shumë se 40.4 milionë njerëz ose 2.9 për qind e popullsisë së tij.
Numri i vaksinave në Indi duhet të rritet në 516 milionë deri në korrik, dhe më shumë se 2 miliardë midis gushtit dhe dhjetorit, me ndihmën e prodhimit vendas dhe importeve, tha ministri i Shëndetësisë, Harsh Vardhan.
Sot, ky vend mori 60.000 doza të tjera të vaksinës Sputnik V nga Rusia.