Sindikata e Bashkuar Arsimit Shkencës së Kosovës (SBASHK), ka takuar grupet parlamentare të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës Socialdemokrate, për të diskutuar rreth Ligjit për Paga.
Sipas njoftimit të SBASHK-ut këto takime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen në mënyrë që të merren parasysh kërkesat e mijëra punëtorëve për zbatimin e Ligjit për Paga.
Njoftimi i plotë i SHBASHK-ut
Me qëllim që të bashkëbisedojnë dhe të përcjellin shqetësimet e të punësuarve në sistemin arsimor të Kosovës lidhur me Ligjin e pagave SBASHK-u ka nisur takimet me kryetarët e Grupeve Parlamentare. Takimi i parë është zhvilluar me kryetarin e Grupit Parlamentar të Nisma Socialdemokrate, z. Haxhi Shala. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm edhe deputetët e e kësaj partie Albulena Balaj-Halimaj dhe Endrit Shala. Duke vazhduar me këtë angazhim përfaqësuesit e SBASHK-ut janë takuar sot në ambientet e Parlamentit të Kosovës me kryetarin e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj. Në këto dy takime Delegacioni i SBASHK-ut i përbërë nga kryetari Rrahman Jasharaj, koordinatori për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri dhe zyrtarja e lartë, Vlora Rexhepi Berisha ka shprehur shqetësimin duke përcjellë zërin e të punësuarve në tërë sektorin e arsimit se nëse nuk do të ketë planifikim të mjeteve të duhura në Buxhetin e vitit 2020 për zbatimin e Ligjit të pagave situata do të acarohet shumë dhe se anëtarësia do të kërkojë veprime sindikale duke mos përjashtuar grevën e përgjithshme që nga çerdhet e deri në Universitete.
Kryetari i Grupit Parlamentar të NISMA, Haxhi Shala bashkë me deputetët e këtij subjekti politik parlamentar Balaj-Halimaj dhe Shala janë shprehur se kuptojnë shqetësimin e drejt të SBASHK-ut dhe se në Komisione por edhe në seanc at e Parlamentit do të shprehin qëndrimin e tyre duke kërkuar që në Buxhetin e Kosovës të jenë paraparë mjete të mjaftueshme për implementimin e Ligjit të Pagave ngase, si thanë ata, Qeveria e kaluar kishte paraparë mjete të mjaftueshme buxhetore për këtë Ligj, pasi ai ishte votuar nga Parlamenti i Kosovës.
Takim përmbajtjesor është zhvilluar edhe me kryetarin e Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj. Përfaqësuesit e SBASHK-ut edhe në këtë takim kanë përcjellë shqetësimin e të punësuarve në tërë sektorin e arsimit. Ata kanë informuar kryetarin Haradinaj se nëse në Buxhetin e vitit 2020 nuk do të ketë planifikim të mjeteve të mjaftueshme për Ligjin e pagave atëherë SBASHK-u do të veprojë sipas zërit të anëtarësisë, e cila që tani është e vendosur që nëse ndodh kjo atëherë do të shkohet në veprime sindikale, gjegjësisht në grevë të përgjithshme në tërë sektorin e arsimit.
Kryetari Daut Haradinaj i ka ofruar në emër të Grupit parlamentar të AAK-së përkrahje të pa rezervë SBASHK-ut duke përgëzuar këtë sindikatë për arritjet në Ligjin e pagave. Ai është shprehur se institucionet e Kosovës duhet të trajtojnë me seriozitet kërkesat e SBASHK-ut dhe të sindikatave tjera lidhur me Ligjin e Pagave.
SBASHK-u u ka dërguar kërkesa zyrtare për takime edhe kryetarëve të Grupeve tjera parlamentare, që janë pjesë e Parlamentit të Kosovës dhe anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe kryetarit të Komisionit për Arsim me qëllimin e njëjtë që t’i njoh ata për situatën aktuale në arsim dhe të kërkojë nga ata që të veprojnë në mënyrë që Ligji për Buxhetin të planifikojë mjete të mjaftueshme për zbatimin e Ligjit të pagave duke qenë të sigurt se Kushtetuesja do të sjell vendim pozitiv për këtë Ligj.