Ministria e Shëndetësisë ka bërë sot thirrje për vaksinim të qytetarëve për shkak të pranisë së gripit sezonal.
Në një postim në Facebook thuhet se të gjithë qytetarët e moshës mbi 6 muaj kanë të drejtë të vaksinohen kundër gripit si forma më e mirë e mbrojtjes së shëndetit.
“Përmes vaksinimit mund të parandalohen infeksionet, format e rënda të sëmundjes, shtrirjet në spital dhe vdekjet. Sezoni i gripit zgjat deri në maj, andaj qytetarëve u rekomandohet që të vaksinohen”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, OBSH ka tërhequr vëmendjen për një sezon agresiv të gripit. Kosova, gjithashtu, ka regjistruar raste të gripit, që në këtë sezon po shfaqet shumë më agresiv se një vit më parë. Vaksinimi bëhet në çdo komunë, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.