Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, deklaron se do të respektojë çdo vendim që do të marrë Gjykata Kushtetuese rreth çështjes së dekretit të tij.
Kreu i shtetit pas homazheve që ka bërë në burgun e Dubravës, tha se një njëri ka uzurpuar Zyrën e Kryeministrit edhe pas dy shkeljeve të Kushtetutës.
Thaçi tha se duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese e pastaj të veprohet.
“Ne të gjithë duhet të fokusohemi në respektimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, për fat të keq kemi një njeri që ka uzurpuar zyrën e kryeministrit edhe pas dy shkeljeve të rënda kushtetuese, do të thotë po paraqitet dhe po sillet si njeri i paligjshëm në skenën politike kosovare. Sido që të jetë ne duhet të kemi durim, duhet që qartësisht të punojmë, po edhe të respektojmë të gjithë kushdo që të jetë në krye të çdo institucioni apo spektri politik, shoqëria civile, mediat, të gjithë. Të punojmë që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që pritet të dal në ditët e ardhshme siç janë deklaruar ata. Në anën tjetër në asnjë formë të mos pretendon ndokush që të bëjë ndonjë presion. Prandaj, ne duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj t’i japim opinionet tona dhe qëndrimet tona”, tha ai.
Thaçi tha se vendimet e gjykatave duhet të jenë të respektueshme dhe ai tha se gjithmonë i ka respektuar ato. E një gjë të tillë ai tha se do ta vazhdojë ta bëjë.
“Unë kam respektuar gjithmonë edhe kur më kanë pëlqyer edhe kur nuk më kanë pëlqyer fare, por sido që të jetë askush nuk është mbi Kushtetutën, mbi ligjet. Unë si president i vendit do të vazhdojë të respektojë gjithë mandatin tim që del nga Kushtetuta e Kosovës, në veçanti me garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve të vendit, duke përfshi këtu edhe Gjykatën Kushtetuese sepse mandati im nuk buron nga Gjykata Kushtetuese, por nga Kushtetuta. Ne duhet të mësohemi të respektojmë institucionet e pavarura, institucione këto që dalin përtej kornizave të interesit ditor politik apo egos personale të çdo kujt. Ftesa ime është për të gjithë respektim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që do të del”, tha ai.
Sa i përket kritikave drejtuar ndaj tij nga Lëvizja Vetëvendosje se po i bënë presion Gjykatës Kushtetuese, Thaçi tha se nuk do të komentojë fare punën e Gjykatës, pasi sipas tij edhe nëse flet mirë edhe nëse e kritikon po shihet në mënyrë të njëjtë.
Thaçi tha se e ka mandatar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër në respektim të plotë të Kushtetutës.
“Të lëmë rehat ne Gjykatën Kushtetuese të punojë, ndërsa sa i përket rrugëtimit të mëtutjeshëm do të varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Unë si president i vendit kam marrë vendimin për dekretimin e z.Hoti duke u bazuar në respektimin e plotë të Kushtetutës, por në të njëjtën kohë edhe të opinionit që kanë treguar edhe qëndrime që kanë treguar shumica e partive politike me përjashtim të një partie politike parlamentare. Po përfaqësuesit e 91 deputetëve që janë të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës janë deklaruar dhe kanë shprehur qëndrim se janë në favor të një gjetjes së një zgjidhje që nuk qon në zgjedhje të lira, por që qon drejtë një mundësie të re që është praktikë edhe e vendeve tjera të BE-së. Kështu që, unë kam besim të plotë në respektimin kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë nga të gjithë, është mirë që janë deklaruar të gjithë liderët që do ta respektojnë vendimin e Gjykatës dhe mendoj që kjo është mirë”, tha Thaçi.
Pas rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, presidenti i vendit ka ma datuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër të ri të vendit. Pas ankesës së LVV-së, Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar dekretin deri më 29 maj.