Sot janë bërë 25 vjet nga rënia e Ilir Konushevcit dhe Doktor Hazir Malajt.
Ilir Konushevci, i lindur në fshatin Llugë të Komunës së Podujevës, ishte një ushtar dhe luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Ra dëshmor më 9 maj 1998 në një pritë të organizuar nga forcat serbe, dhe bashkë me të ra dëshmor edhe mjeku Hazir Mala derisa ishin duke udhëtuar për në qytetin Bajram Curri.
Iliri në Shqipëri punoi në furnizimin me armatim në nivel të vendit, detyrë e cila ishte shumë e vështirë. Këtë detyrë e kryente kryesisht me Ardian Krasniqin (pas vrasjes së Luan Haradinajt). Pasi formuan rrjetin e bashkëpunëtorëve, Iliri dhe Ardiani disa herë erdhën në Kosovë, me qëllim të riorganizimit të radhëve të UÇK-së, si dhe koordinimit të punëve me rrethet e tjera, sepse pas vrasjes së Zahir Pajazitit shumëçka nuk ishte si më parë. Pas vdekjes së Zahirit, Iliri e përfaqësonte ZOLL-in në Shtabin Qendror.
Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë të lartë për në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer detyrën e tij me përkushtimin më të madh, u vra në mëngjesin e hershëm (rreth orës 2:00) të datës 9 maj 1998 atje ku me se paku pritej, në një pritë të organizuar nga dora e zgjatur e pushtuesit serb, së bashku me mjekun Hazir Malajt, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim. Vrasja e Ilirit shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe Shtabin e saj Qendror. Dëshmori Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së shkroi rreshta në historinë tonë kombëtare, ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në në përgjithësi, transmeton Fol Drejt.