Braziliani Antony nuk pritet të luajë për Manchester United në finalen e FA Cup kundër Manchester Cityt, e cila është në program nesër nga ora 16:00.
Anësori brazilian pësoi atë që dukej të ishte një dëmtim i rëndë kundër Chelsea, u transportua me barelë dhe më pas u duk se do të përfundonte sezonin.
Mirëpo, rezonanca magnetike tregoi se dëmtimi nuk është aq i rëndë dhe se Antony mund ta ndihmojë skuadrën në duelin me rivalin e qytetit për trofeun.
Një ditë para ndeshjes, trajneri Ten Haag ka informacione të reja.
“Ne shpresonim që ai të luante, por vetëm pak përparim është bërë në rikuperimin e tij. Mundësia ende ekziston, por është minimale”, tha eksperti holandez.
Përveç tij, për United në këtë ndeshje nuk pritet të luajnë Lissandro Martinez, Marcel Sabitzer, Donny Van de Beek, ndërsa emri i fundit në listën e të lënduarve është Anthony Martial, transmeton Fol Drejt.