Më 14 maj, votuesit turq do të shkojnë në kutitë e votimit për të zgjedhur një president të ri në atë që është një nga zgjedhjet më të rëndësishme të vitit 2023. Presidenti aktual Rexhep Tajip Erdogan ka ruajtur kontrollin e tij në pushtet për 20 vjet. Por, muajt e fundit, një rënie ekonomike dhe një tërmet vdekjeprurës në vend e kanë shkatërruar besimin në administratën e tij. Sipas sondazhit të fundit, opozita e bashkuar e Turqisë paraqet një sfidë të paprecedentë për qeverisjen e Erdoganit.
Ka opinione që thonë se Kemal Kilicdaroglu, kreu i opozitës kryesore të Turqisë nga Partia Popullore Republikane (CHP), ka një shans realist për të mundur presidentin Erdogan.
Përgjigja e ngadaltë e Erdoganit ndaj tërmetit shkatërrues në shkurt ka minuar mbështetjen popullore për të.
Po sikur Kemal Kilicdaroglu të fitojë zgjedhjet në Turqi? Pyet Steven A. Cook, një kolumnist i njohur nga Foreign Policy (Foren Pallisi).
“Duket se vetëm një veprim i Zotit mund të largonte Presidentin Rexhep Tajip Erdogan. Ndoshta tërmeti i 6 shkurtit ishte pikërisht ai” – konstaton ai.
Turqia mban zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 14 maj. Ato mund të rrëzojnë Presidentin Rexhep Tajip Erdogan dhe Partinë e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), të cilët kanë qeverisur për 20 vitet e fundit.
Në atë kohë, Erdogan dhe AKP kanë lënë një gjurmë të thellë në vend – duke zgjeruar rolin e Islamit në shtetin tradicional laik dhe duke rritur ndikimin e Turqisë jashtë vendit.
Por vitet e politikës ekonomike joortodokse dhe një tërmet vdekjeprurës i shkurtit kanë minuar besimin tek qeveria, duke bërë që shumë votues të vënë në pikëpyetje reputacionin e administratës kompetente që tradicionalisht ka qenë qendrore për apelin e AKP-së – shkruajnë mediat e huaja.
Shikuar në një perspektivë dy dekadëshe, Turqia është forcuar jashtëzakonisht shumë në rrafshin ekonomik, duke e ngritur standardet në sferën e shërbimeve administrative, duke e ngritur cilësinë në arsim, shëndetësi etj, por ndërsa ka përparuar në rrafshin e teknologjisë informative, ajo është kritikuar për zbehje të lirisë së shtypit, si dhe në rrafshin e funksionimit të drejtësisë.
Roli i Turqisë u vu në pah edhe në raport me luftën në Siri, por edhe tash së fundmi në luftën e Ukrainës. Ishte një ndër vendet që ndërmjetësoi në bisedimet për çështje të grurit, duke e shfrytëzuar rastin të kthehej në qendër të vendeve për porte tregtare.
Po ashtu gjatë “Epokës” së Erdoganit, është investuar shumë edhe në teknologjinë ushtarake. Shpikja e dronëve dhe fluturakeve me telekomandë, tankeve dhe automjeteve me burime alternative, janë disa prej “mburrjeve” të kësaj administrate.
Megjithatë, inflacioni i lartë dhe tërmeti katastrofal, ka bërë që Erdoganit t’i luhatet kolltuku. Nuk dihet nëse ai do t’ia dalë ta ruaj pushtetin edhe për një kohë./FolDrejt/