Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar sërish lidhur me skandalin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt dhe deklaratës së kryeministrit të vendit, Albin Kurti, për Oliver Ivanoviq, në 5-vjetorin e vrasjes së tij.
Përmes një postimi në facebook, Abdixhiku ka kritikuar udhëheqësinë lidhur me këto dy raste, duke i cilësuar si amnistues të rastit Berishaj dhe rehabilitues të Ivanoviq.
Për skandalin e Berishajt, Abdixhiku ka akuzuar pushtetarët e Kosovës për mbrojtjen ndaj ambasadorit, sepse sipas tij ambasadori Berishaj ka lidhje të ngushta politike me ta.
“I pari na vie si një skandal korruptiv nga i cili distancohen secili politikan nē Slloveni, por tek i cili bashkohen secili pushtetar në Kosovë. Martin Berishaj ka tërhequr plot 1.4 milionë euro para të gatshme në njërën nga bankat e Prishtinës. Paratë janë transferuar nga kompania energjetike ‘GEN-I’ me seli në Beograd. Këto mjete e ky biznes janë mbajtur fshehtë. Prandaj ambasadori ka dy kallëzime të ndara penale. Një për shpëlarje parash e shmangie tatimesh; dhe një për fshehje të pasurisë. Ai vazhdon të merr mbrojtjen e parezervë të pushtetarëve vetëm sepse ka lidhje të ngushta politike me ta. Ligji për shokë të pushtetit vazhdon të mos vlejë.”, ka thënë Abdixhiku për Berishajn.
Ndërkaq, për Oliver Ivanoviq, Abdixhiku ka kritikuar cilësimin që i është bërë si njeriu që punoi për një të ardhme të qëndrueshme e një Kosovë shumë etnike’.
“I dyti na vie si rehabilitim i një krimineli lufte. Oliver Ivanoviq ka qenë i dënuar me 9 vite burgim për vrasjen dhe përndjekjen e shqiptarëve civil në veri të vendit. Si prijës i formacionit famëkeq ‘Rojat e Urës’ ai kishte organizuar dhe urdhëruar vrasjen e 31 civilëve shqiptarë para dhe pas luftës. Sot, ai cilësohet nga pushteti si ‘njeriu që punoi për një të ardhme të qëndrueshme e një Kosovë shumë etnike’. 31 civil të vrarë! 31 shqiptarë të vrarë nga njeriu multietnik i pushtetit. Çfarë mund të jetë më e dhimbshme se kaq?”, ka thënë Abdixhiku për Oliver Ivanoviq.
Tutje, Abdixhiku ka shtuar se këto skandale nuk mund të shtohen në heshtje, dhe se do të vazhdojnë të kërkojnë shkarkim për rastin e parë dhe kërkimfalje për rastin e dytë.
“A është ky ndryshimi për të cilin Kosova ka patur nevojë? Që të amnistohen të korruptuarit vetem sepse kanë lidhje me pushtet, e të rehabilitohen kriminelët e luftës e pasluftës sepse tani janë në pushtet. Çfarë i bën të ndryshëm këta popullistë nga e mbrapshtja që kishte ngufatur këtë vend?
Skandalet si këto s’mund të kalohen në heshtje. Ato s’mund të mbyten as nga zhurma e paaftësisë së pushtetit. Do të vazhdojmë të kërkojmë shkarkim për të parin e kërkimfalje për lartnimin e dhimbshëm të të fundit.
Kosova meriton më mirë; Kosova mundet më shumë!”, ka shtuar Abdixhiku./FolDrejt/