Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur zgjedhjet e Forumit Rinor, me ç’rast kryetar i këtij Forumi është zgjedhur Paris Guri.
Në këto zgjedhje, ka mbajtur një fjalim edhe kryetari Lumir Abdixhiku, i cili ka theksuar rëndësinë që ka rinia, për vendin e për LDK-në.
“Koha e re kërkon edhe njerëz të rinj. I kërkon sot për sot. Sepse e sotmja është vendimtare edhe për nesër.” – ka thënë Abdixhiku.
Tutje ai ka shtuar se vendimet e rinisë sot, të përkthyera në angazhim të drejtpërdrejtë i duhen më së shumti vendit. I duhen Republikës, sepse ndryshimet e reja dhe dinamika e zhvillimit aktual kërkojnë energjinë dhe vullnetin e të rinjve; vullnetin tuaj të domosdoshëm për ta integruar shtetin tonë në familjen euroatlantike. Prandaj, më lejoni që para jush të zotohem se secilën herë roli juaj do të jetë më i madh, më i fuqishëm dhe prijatar drejt proceseve tona të përbashkëta. Jam krah i fuqishëm i juaji dhe krah për krah njëri – tjetrit do të çojmë vendin tonë përpara” – është shprehur ai.
“Unë e di që shumë të rinj e të reja me të drejtë janë të pakënaqur me rezultatet e deritanishme; mirëpo, shoh gatishmëri të punojnë, sepse ka shpresë për të gjithë ne. Do duhej të shqetësoheshim më shumë nëse ju bëheni indiferentë, që do të thotë se ju pranoni të metat e organizimit tonë të brendshëm ose kërkoni një jetë më të mirë jashtë vendit. Fatkeqësisht, çdo ditë shumë të rinj zgjedhin njërën ose tjetrën alternativë. Por, ju siguroj që si kryetar i LDK-së do të afroj rreth vetes të rinj e të reja profesionistë të cilët do t’i inkuadroj në strukturat tona udhëheqëse e do të ju jap alternativa tjera. Tek secili prej jush shoh gatishmërinë e vullnetin që të punojmë bashkërisht për të quar procese përpara. Sepse rinia është potenciali që do të bartë mbi supe zhvillimet dhe proceset drejtuese të Republikës tonë”. – ka shtuar Abdixhiku./FolDrejt/