Ambasadori i Francës në Prishtinë, Olivier Guerot, me rastin e njoftimit të bërë të shtunën nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, theksoi se në Kishinau kishte kërkesa të qarta që do të mundësonin një rrugëdalje nga kriza që po ndodh në veri të Kosovës.
“Një deklaratë shumë e qartë e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në emër të 27 vendeve anëtare. Presidenti Macron, kancelari Scholz dhe Përfaqësuesi i Lartë Borrell parashtruan qartë kërkesat për një dalje nga kriza në Kishinau. Mbështetje nga e gjithë BE-ja,” ka shkruar ambasadori francez sot në llogarinë e tij në Twitter.
Në njoftimin e djeshëm, Borrell theksoi ndër të tjera se Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për deeskalim, të ndalojnë përdorimin e retorikës së ndarjes dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar./FolDrejt/