Ami Boue në vitin 1840 përshkon rrugën nga Peja deri në Prishtinë, përshkruan vendin dhe natyrën e pasur të Kosovës, ku edhe pse para 182 vjetësh, është sikur ta kishte përshkruar sot.
“Për të shkuar prej aty në Prishtinë kalohet nëpër pllaja pyjore dhe gurrore, të cilat janë në Perëndim të Drsnik dhe nga të cilët i pari mban emrin Drsnikbari dhe i dyti Brçevabari. Aty nxirren gurë gëlqerorë eocenë (?) për çatitë e shtëpive rreth e rrotull. Në largësinë 2 lega nga Drsnik arritëm në Iglareva, ku gjenden kullota të pasura nga pyjet dhe nga livadhet e lagështa. Pasi kaluam në fshatrat Kieva dhe Mletjan, mundëm të shkonim më tej në shtratin e një lugine shumë të gjerë dhe të zënë mbi të gjitha nga livadhet. Kreshta shumë të ulta lartësohen në një distancë në Veri, ndërsa Komorani formonte majën më të lartë të tyre. Ne nuk shkuam pranë fshatit Loshica. Më në fund, pa e kuptuar që u ngjitëm, dolëm nganjë ngushtim i kësaj lugine te hani i vetmuar i Lapushnikut, i cili ka një lartësi absolute prej 1 457 këmbësh apo është pothuaj 400 këmbë mbi Drinin e Bardhë. Në Jug-Perëndim të këtij vendi lartësohet një brinjë prej 100 këmbë, të cilën e rrethojnë shkëmbinj të mëdhenj kuarci. Në Jug-Lindje dallohet maja e thepisur dhe e zhveshur nga drurët e malit Goliesh (tullac) apo Golia, i cili është veçse 2 700 këmbë dhe megjithatë është kepi më i lartë i vendeve përreth dhe në të njëjtën kohë i të gjithë vargmalit që kalon nga Veri – Veri-Perëndimi në Jug – Jug-Lindje midis pellgjeve të Metohisë dhe të Sitnicas.” (Ami Boue – Shqipëria në Turqinë Europiane, Plejad, Tiranë, 2011, fq 139)./FolDrejt/