NGA TODD PRINCE/ Vendimi i Presidentit rus, Vladimir Putin, për ta pushtuar Ukrainën po i kthehet bumerang industrisë ruse të energjisë – industrisë kryesore të ekonomisë së vendit – ndërsa Europa po dyfishon përpjekjet për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të larguar varësinë nga nafta dhe gazi rus, teksa kompanitë perëndimore po largohen nga Rusia.
Në dy javët e fundit, Gjermania – ekonomia më e madhe e Europës – ka pezulluar projektin e një tubacioni që mëtonte të eksportonte gaz natyror nga Rusia. Ky shtet, po ashtu, ka njoftuar për planet që të ndërtojë porte për gaz nga shtetet e tjera dhe ka thënë se mund të zgjerojë përdorimin e uzinave bërthamore dhe termocentraleve që prodhojnë energji nga qymyri.
Ndërkaq, BP, Shell dhe ExxonMobil, tri kompanitë më të mëdha perëndimore të energjisë, kanë njoftuar se do t’i tërheqin projektet e tyre multimiliardëshe nga Rusia; ndërkaq kompania franceze TotalEnergies, tha se do t’i ndërpresë investimet e reja. A mund ta ndërpresë BE-ja vërtet varësinë ndaj gazit rus? Nuk do të jetë punë e lehtë. Teksa shtetet europiane po ndërmarrin veprime që t’i shkurtojnë furnizimet ruse, eksodi i parave dhe njohurive perëndimore do të çojë në mënyrë të pashmangshme në vonesa ose anulime të projekteve të energjisë në Rusi, duke ndikuar në prodhimin e ardhshëm, kanë paralajmëruar analistët.
“Mendoj se ky është fillimi i fundit për Rusinë si një superfuqi energjetike”, tha Nikos Tsafos, analist për energjinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në Uashington. Humbjet e mundshme të Rusisë në shitjet e gazit në tregun europian nuk do të mund të kompensohen plotësisht nga rritja e eksporteve në Kinë, tha ai në një podkast të publikuar më 1 mars. Rusia është prodhuesja e tretë më e madhe e naftës në botë dhe prodhuesja e dytë në botë e gazit natyror.
Ky shtet ka një pozicion të fortë në Europë, pasi përbën 25 për qind të furnizimeve me naftë dhe 30 deri në 40 për qind të furnizimeve me gaz. Në përgjithësi, Moska ka qenë një furnizuese e besueshme e energjisë për Europën që nga periudha sovjetike, pavarësisht konfrontimeve gjatë Luftës së Ftohtë, rënies së komunizmit, luftërave dhe recesioneve. Raportet me Berlinin veçmas kanë qenë të ngushta në vitet e fundit. Gjermania e ka parë gazin natyror rus si një urë për tranzicionin e saj energjetik nga qymyri dhe energjia bërthamore tek energjia diellore dhe ajo me erë.
“DIÇKA U PRISH”
Pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, Berlini nuk u zmbraps dhe vazhdoi me projektin “Rrjedha Veriore 2”, gazsjellësit të mbështetur nga Kremlini, që mëtonte të sillte gaz natyror nga Rusia në Gjermani. Ky projekt do të kishte dyfishuar importet e gazit rus në Gjermani. Por, pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga ana e Putinit ka shkatërruar rrënjësisht këto lidhje energjetike me Europën dhe me Gjermaninë, në veçanti. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha gjatë kësaj jave se shteti i tij “do të ndryshojë kursin” për të tejkaluar varësinë nga energjia ruse dhe ndërpreu projektin 11 miliardë dollarësh të gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2”, që pritej të futej në funksion më vonë gjatë këtij viti.
“Me të drejtë apo pa të drejtë, ka një pikëpamje në Europë që thotë se nëse nuk përdorni hidrokarbure, aftësia e Rusisë për ta bërë këtë do të zvogëlohet”, tha ai, duke iu referuar agresionit rus. “Kjo është një pikëpamje e përhapur gjerësisht në Europë”. “Ky raport ka kaluar nëpër shumë pengesa dhe megjithatë, diçka u prish gjatë javës së fundit. Toleranca që europianët kanë për varësinë nga Rusia ndryshoi brenda natës”, tha Tsafos.
Putin ka qenë njeriu kryesor që ka shtyrë politikat energjetike ruse që prej fundit të shekullit të kaluar. Madje, ai ka marrë pjesë në negociata për çmime me qeveritë dhe u ka ndihmuar investitorëve të huaj që të arrijnë marrëveshje. Pak i njohur deri në fund të viteve ’90, Putin u bë President në 2000-në dhe konsolidoi pushtetin, duke gëzuar popullaritet, teksa çmimet botërore të naftës u rritën dhe rritja e prodhimit vendas mbushi arkat e buxhetit.
Shumë shpejt, ai solli nën pronësinë e shtetit një pjesë të madhe të industrisë private të naftës vendase – përfshirë këtu falimentimin e Yukos dhe burgosjen e pronarit të kësaj kompanie, miliarderin Mikhain Khodorkovsky – dhe luftoi përpjekjet e oligarkëve për të prishur monopolin e shtetit mbi eksportet e tubacioneve. Putin, po ashtu, ka përdorur pozitën dominuese të gazit natyror në Europë si një levë politike, përfshirë edhe mbajtjen e ish-shteteve sovjetike, si Ukraina dhe Moldavia, brenda sferës së tij të ndikimit. Lëvizja e Putinit për të ndëshkuar Ukrainën më 2006 dhe 2009 me çmime të larta të gazit, për shkak të politikave të Kievit të prira drejt Perëndimit, çoi në ndërprerjen e parë të eksportit nga Rusia për në Europë.
Oferta e tij për kredi të lira dhe gaz për Presidentin ukrainas, Viktor Yanukovych, më 2013-ën, e pengoi Kievin që të nënshkruajë një marrëveshje për asociim ekonomik me Bashkimin Europian, gjë që nxiti protestat që e larguan nga pushteti Yanukovych-in. Putin u kundërpërgjigj duke aneksuar gadishullin e Krimesë dhe nxiti një luftë separatiste në Ukrainën Lindore, duke shtyrë Perëndimin që për herë të parë të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Nisja e pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, që nxiti një luftë shkatërruese, shtyn SHBA-në, BE-në dhe shtetet e tjera që të vendosnin sanksione shkatërruese ndaj sektorëve financiarë dhe të teknologjisë së Rusisë.
Megjithatë, qeveritë perëndimore bënë përjashtime për energjinë ruse dhe një sërë firmash – nga bankat dhe shtëpitë tregtare, te kompanitë e sigurimeve dhe transportuesit – janë ende duke refuzuar transaksionet me naftën ruse dhe gazin e lëngshëm natyror, pas shqetësimeve se mund të ketë rreziqe, përfshirë edhe dëmtimin e mundshëm të reputacionit. Surgutneftegaz, një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Rusi, javën e kaluar dështoi tri herë që të gjejë blerës për 6.4 milionë fuçi naftë, pavarësisht tregut të vogël që ka bërë, që çmimet e naftës të jenë më të lartat në tetë vjetët e fundit. Prodhuesit rusë të naftës po e shesin prodhimin e tyre me zbritje deri në 18 dollarë për fuçi, sipas Energy Intelligence, që merret me industrinë e energjisë. Si rezultat i kësaj, eksportet e naftës nga Rusia mund të bien me 1 milion fuçi në ditë deri në qershor, tha më 3 mars Rystad Energy, një firmë hulumtuese me seli në Oslo.
Kjo do ta privonte shtetin nga rreth 12 miliardë dollarë të ardhura gjatë kësaj periudhe, bazuar në çmimet aktuale të naftës, teksa një fuçi naftë kushton mbi 100 dollarë. Rusia mund të eksportojë rreth 7 milionë fuçi naftë dhe nënprodukte të saj brenda një dite. Kompanitë ruse të naftës mund të detyrohen që të shkurtojnë prodhimin pasi vendi nuk ka depo të mjaftueshme për ta ruajtur naftën që po përpiqet që ta shesë, tha për Radion “Evropa e Lirë” Louise Dickson, analiste në Rystad Energy.
ËNDRRAT E ARKTIKUT JANË SHUAR?
Megjithatë, sanksionet do të kenë efekte afatgjata në prodhimin dhe shitjen e naftës ruse. Gjiganti shtetëror i naftës Rosneft, që udhëhiqet nga bashkëpunëtori i ngushtë i Putinit, Igor Sechin, është duke zhvilluar projektin e madh të naftës Vostok në Arktik. Ky projekt pritej të prodhonte dhe eksportonte deri në 2 milionë fuçi naftë në ditë deri në vitin 2030. Vostok është projekti më i madh i naftës që Rusia ka nisur që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Për të financuar zhvillimin e këtij projekti – për të cilin duhen dhjetëra-miliardë dollarë – Rosneft vitin e kaluar shiti aksionet te tregtarët e huaj të mallrave. Rosneft tani ka gjasa të ketë vështirësi që të sigurojë financimin dhe teknologjinë për zhvillimin e projektit Vostok, pasi kompanitë perëndimore po largohen nga Rusia.
Në përgjithësi, kompanitë perëndimore të shërbimeve në fushën e naftës përbëjnë një të katërtën e të gjitha investimeve të naftës dhe gazit në Rusi, sipas Rystad. “Nëse këta kontraktorë largohen nga vendi, padyshim që do të shkaktojnë vonesa dhe ndërprerje të operacioneve”, tha kjo kompani hulumtuese. Rystad tha se projekti Vostok “do të ngadalësohet dhe disa projekte ruse mund të anulohen krejtësisht”. Rusia, po ashtu, mund të përballet me probleme që të përditësojë rafineritë e saj të naftës, për shkak të sanksioneve perëndimore në sektorin e teknologjisë, tha Dickson. Rusia eksporton mbi 2 milionë fuçi në ditë të produkteve të naftës.
“ALARM ZGJIMI”
Europa po lëviz shpejt që të diversifikojë burimet e saj të energjisë pas shqetësimeve se Rusia mund të ndërpresë furnizimet me gaz, ndërsa “lufta ekonomike” – siç e kanë quajtur disa zyrtarë të Bashkimit Europian – thellohet. Danimarka veçse ka miratuar ndërtimin e një gazsjellësi që do të sjellë gaz norvegjez në Poloni, pasi leja për ndërtimin e këtij gazsjellësi ishte pezulluar vitin e kaluar.
Polonia varet nga “Gazprom”-i i Rusisë për pothuajse gjysmën e nevojave të saj të gazit. BE-ja pritet, gjithashtu, që në ditët në vijim të propozojë masa të reja për të zgjeruar energjinë e ripërtërishme dhe për të përshpejtuar procesin e furnizimit nga burime të tjera, me qëllim që ta zëvendësojë gazin rus. “Neve na duhet pavarësi nga gazi, nafta dhe qymyri rus.
Vendosmëria jonë për të ecur përpara në këtë rast është më e fortë se kurrë më parë”, tha Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, më 3 mars. Richard Morningstar, ish-i dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Energjinë Euroaziatike dhe analist në Këshillin e Atlantikut, i tha Radios “Evropa e Lirë” se si pjesë e një strategjie për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për t’u larguar nga varësia e energjisë ruse, vendet europiane duhet të rishqyrtojnë planet e tyre për mbylljen e uzinave të energjisë bërthamore.
Gjermania është paraparë që të mbyllë uzinat bërthamore deri në fund të këtij viti, ndërkaq Belgjika deri në vitin 2025. Morningstar tha se Europa, gjithashtu, duhet të ndërmarrë hapa për të forcuar eficiencën e energjisë, përveçse të sigurojë gaz nga furnizues të tjerë. “Eficienca e energjisë, në terma afatshkurtër dhe afatgjatë, do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme. Europa e kupton se duhet të ndërmarrë veprime serioze”, tha ai, duke e quajtur luftën e Putinit si një “alarm zgjimi” për diversifikim.
ÇFARË DO TË THOTË PUSHTIMI I UKRAINËS PËR FATURAT E ENERGJISË?
Krizat politike në të kaluarën i kanë motivuar shtetet e zhvilluara që të ndryshojnë burimet e tyre të energjisë, tha Tsafos, duke përmendur krizën e naftës në vitet ’70. Gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1973, shtetet anëtare të Organizatës së Shteteve Eksportuese të Naftës (OPEC) vendosën një embargo të naftës ndaj shteteve që mbështesnin Izraelin, duke shkaktuar katërfishimin e çmimeve dhe duke dëmtuar ekonominë botërore. Tsafos tha se qeveritë e ekonomive të zhvilluara nisën ta perceptonin naftën si një “mall jashtëzakonisht të pasigurt dhe të paqëndrueshëm” dhe ulën rolin e saj në furnizimet e tyre, duke u kthyer më shumë nga qymyri dhe energjia bërthamore. Sipas tij, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me energjinë ruse. “Sido që do të duket peizazhi energjetik në Europë gjatë 30 vjetëve të ardhshëm, oreksi për të integruar Rusinë në atë treg tani është zero”, tha ai.
MË PAK “GODITJE GJEOPOLITIKE”
Rystad tha se Europa mund të zëvendësojë shumicën e importeve të gazit rus gjatë këtij viti vetëm duke blerë gaz të lëngshëm natyror apo përmes burimeve të tjera të energjisë, përfshirë qymyrin, energjinë bërthamore, hidrocentralet, edhe pse një tranzicion i tillë do të ishte i shtrenjtë dhe ambicioz. Rusia ka eksportuar 155 miliardë metra kubikë të gazit natyror gjatë vitit të kaluar në Europë përmes një gazsjellësi nga fushat e saj të gazit në Siberinë Perëndimore. Nëse Europa arrin që në vitet e ardhshme të shkurtojë ndjeshëm importet e gazit rus, Moska do të jetë në një pozicion të vështirë, sepse nuk ka treg tjetër për atë gaz, thanë analistët.
A MUND T’I MBAJË GJERMANIA NË FUNKSION UZINAT BËRTHAMORE?
Fushat e Siberisë Perëndimore nuk janë të lidhura me tubacion me Kinën, që është një treg i gazit natyror që po rritet shpejt. Rusia dëshiron që të ndërtojë një gazsjellës të ri që do të mund të transportonte 50 miliardë metra kubë gaz nga fushat e Siberisë Perëndimore për në Kinë deri në vitin 2030. Aktualisht, Rusia furnizon Kinën me vetëm 10 miliardë metra kubë gaz me tubacionet nga fushat në Siberinë Lindore, megjithëse kjo sasi pritet të rritet në 38 miliardë metra kubikë deri në vitin 2025. Rusia potencialisht do të humbiste jo vetëm vëllimet e eksporteve, por edhe një pjesë të ndikimit të saj botëror, nëse do të ketë një riorientim të tillë të eksporteve. “Shitja e gazit në Azi nuk e ka të njëjtën goditje gjeopolitike sikurse shitja e energjisë në Europë. Është një alternativë, por është alternativa e dytë më e mirë për Rusinë”, tha Rystad./FolDrejt/