Karl Nehammer, kancelar i Austrisë ka shprehur qëndrimin e shtetit të tij, në lidhje me raportet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i specifikuar këtu ato me Kosovën dhe Serbinë, shkruan Fol Drejt.
Ai këtë deklaratë e dha pas takimit me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurti.
“Austria e sheh vetveten më së pari jo vetëm në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, por në lidhje me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimorë si urë me Bashkimin Evropian. Pra dhe në këtë ne e shohim veten si urë lidhëse.”
Duke iu rikthyer kontekstit të bisedimeve Kosovë – Serbi, ai ka thënë se të dy shtetet duhet t’i rikthehen procesit të bisedimeve:
“Të dyja shtetet duhet të gjejnë mënyrë që të ballafaqohen me njëri-tjetrin dhe të krijojnë një të ardhme prosperuese, paqësore për aq sa është e mundur. Pra me rëndësi është që partnerët ndërkombëtarë të lënë aq hapësirë që të dyja shtetet të mund të vendosin se sa larg mund të shkojnë në negociatat e tyre.”
Sipas Nehammer, Austria do të jetë e gatshme që të ofrojë ndihmë në përkrahje të dy shteteve.
“Është e rëndësishme besoj, dhe Austria është partnere e mirë në këtë drejtim, dhe kjo është për shkak të historisë austriake pasi kanë ndodhur shumë gabime në të kaluarën tonë historike dhe kemi nxjerr mësimet tona nga ato. Me këtë përvojë historike ne i ofrojmë si ndihmë në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Pasi paqja, prosperiteti mund të fitohet vetëm kur bëhet bashk”, u shpreh ai.
Procesi i dialogut do të jetë i mundimshëm por të dyja vendeve duhet t’u epet kohë mjaftueshëm për t’ia arritur qëllimit. Kancelari ka folur edhe për çështjen e dërgimit të trupave shtesë në kuadër të NATO-s, duke thënë se Austria ofron më shumë se 300 ushtarë që kryejnë detyrat për siguri në Kosovë, duke theksuar se do t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes së Kosovës për shtim të numrit të trupave të NATO-s. /FolDrejt/