Për shkak të luftës kundër Ukrainës, Rusia është “drejtpërdrejt përgjegjëse” për mungesat në tregtinë ndërkombëtare të grurit, tha të dielën përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.
“Bllokada e vazhdueshme e Rusisë ndaj porteve ukrainase pengon eksportin e tonelatave të drithërave, si misri dhe gruri, të cilat aktualisht janë bllokuar në Ukrainë, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë”, tha Borrell në Twitter, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai potencoi se sanksionet e BE-së synojnë kapacitetin e Rusisë për të vazhduar luftën, dhe jo grurin, duke shtuar se produktet bujqësore dhe transporti i tyre janë “përjashtuar në mënyrë eksplicite” nga sanksionet.
“Rusia është drejtpërdrejt përgjegjëse për të gjitha mungesat në tregtinë ndërkombëtare të grurit dhe në vend që të ndalojë agresionin e saj, ajo po përpiqet në mënyrë aktive të zhvendosë përgjegjësinë te sanksionet ndërkombëtare. Ky është dezinformim”, shtoi Borrell.
Shefi i diplomacisë evropiane vuri në dukje se blloku do të vazhdojë të tregojë solidaritet me vendet në zgjidhjen e pasojave të luftës.
“Presidenti rus, Vladimir Putin duhet t’i japë fund luftës së tij kundër Ukrainës. Integriteti territorial i Ukrainës duhet të rivendoset”, tha Borrell, duke shtuar se kjo është në interes të të gjithë botës.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 4.183 civilë janë vrarë dhe 5.014 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës me Rusinë ndërsa numri real besohet të jetë shumë më i lartë.
Më shumë se 6.9 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera, ndërsa më shumë se 7.7 milionë janë zhvendosur brenda vendit./FolDrejt/