Bashkimi Evropian ka ngritur padi ligjore kundër Britanisë së Madhe në përgjigje të veprimeve të njëanshme për rishikimin e pjesës së Protokollit të Irlandës së Veriut në marrëveshjen pas Brexit-it midis dy palëve, njoftoi sot dega ekzekutive e bllokut.
Projektligji i propozuar i Britanisë synon të heqë kontrollet doganore për disa mallra që hyjnë në Irlandën e Veriut nga pjesa tjetër e Britanisë. Kjo do të anashkalojë pjesë të traktatit tregtar që kryeministri Boris Johnson nënshkroi me BE-në më pak se dy vjet më pare, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
BE-ja konsideron se vendimi i njëanshëm i Britanisë është shkelje e ligjit ndërkombëtar. Protokolli i ashtuquajtur i Irlandës së Veriut është pjesë e marrëveshjes së Brexit-it që e mban Irlandën e Veriut në tregun e përbashkët të BE-së për mallra.
Blloku 27-vendesh do të rifillojë procedurën e shkeljes të nisur kundër qeverisë britanike vitin e kaluar pasi Britania zgjati në mënyrë të njëanshme një periudhë mospagimi që zbatohet për tregtinë në ishullin e Irlandës.
Veprimi ishte pezulluar në shtator 2021 pasi të dyja palët u përpoqën të gjenin zgjidhje të përbashkët. Për më tepër, BE-ja do të nisë veprime të mëtejshme kundër Britanisë për një dështim të perceptuar për të kryer kontrollet e nevojshme sipas rregullave të BE-së dhe për të ofruar të dhëna statistikore tregtare siç kërkohet nga protokolli./FolDrejt/