Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka reaguar ndaj sulmit të bërë kundrejt Policisë së Kosovës.
Ai ndër të tjera theksoi se institucionet e sigurisë së vendit duhet të qëndrojnë vigjilente dhe të vendosura që të zbatojnë ligjin në tërë territorin e Kosovës, sulmeve terroriste t’u përgjigjen me vendosmëri, me dyfishin e forces, transmeton Fol Drejt.
Ky është reagimi i plotë i Berishës:
“Invazioni rus në Ukrainë është plan i hershëm i përgatitur nga shërbimet e këtij shteti. Pasi që Rusia ka ngecur dhe është ndalur nga rezistenca e pashoq e Ukrainasve, synimet e saj janë destabilizimi i Ballkanit Perëndimor.
Sulmet e tilla si këto ndaj policisë së Kosovës janë të planifikuara kohë më herët. Institucionet e sigurisë duhet të qëndrojne vigjilente dhe të vendosura që të zbatojnë ligjin në tërë territorin e Kosovës, sulmeve terroriste t’u përgjigjen me vendosmëri, me dyfishin e forcës.
Kujtojmë se këto sulme vijnë pas furnizimit me armë ofanzive nga Kina nga shteti serb, duke realizuar pikë për pike planet e Putinit, si dhe pas deklaratave nxitëse të Vuçiqit.
Qytetarët e Kosovës nuk duhet të panikohen, por e kemi obligim që ta mbushim Fondin për Siguri. Përtej vendit tonë nuk kemi ku të shkojmë.
Në këtë situatë jemi gjithë bashkë, gjithmonë të gatshëm në mbrojtje të Atdheut.”/FolDrejt/