Presidenti amerikan Joseph Biden tha sot se do të bëjë gjithçka që është e mundur kundër dhunës me armë dhe i bëri thirrje edhe një herë Kongresit që të bëjë më shumë për të zgjidhur këtë çështje, një vit pas masakrës raciste në veri të ShBA-ve, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Fol Drejt.
“Për hir të Zotit, bëni diçka”, u tha presidenti demokrat Biden përfaqësuesve të Kongresit, sipas editorialit të gazetës amerikane USA Today.
Kongresi amerikan, i vetmi organ politik i aftë për të vepruar, bëri një vesh të shurdhër ndaj thirrjeve të Bidenit, pasi republikanët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, janë ashpër kundër çdo zgjidhjeje në këtë drejtim dhe veçanërisht kundër ndalimit të armëve.
“Unë po bëj gjithçka që mundem për të reduktuar dhunën me armë, por Kongresi duhet të bëjë më shumë,” tha Biden, duke njoftuar 13 “masa të reja” që synojnë maksimizimin e efekteve të rregulloreve tashmë në fuqi.
Biden planifikon të rrisë kontrollet e historikut për blerësit e armëve nën moshën 21 vjeç dhe të rrisë masat e konfiskimit të armëve për personat e dënuar për dhunë në familje.
ShHBA, ku ka më shumë armë se sa njerëz, ka shkallën më të lartë të vdekjeve nga armët se çdo vend i zhvilluar.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2021 ka pasur më shumë se 21,000 vrasje dhe 26,000 vetëvrasje. /FolDrejt/