Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, në lidhje me hetimin për ryshfet të lidhur me Parlamentin Evropian (PE) tha se nuk duhet të fshehin atë që ndodhi në PE.
Borrell foli në forumin vjetor në Bruksel, të organizuar bashkërisht nga BE-ja dhe organizatat jofitimprurëse, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Nuk duhet të fshehim atë që ndodhi në PE, duhet ta tregojmë. Duhet të tregojmë se sa serioz është, sa i rëndësishëm është për sistemin tonë politik. Më vonë, kur të shoh njerëzit që qeshin me ne, ata do të thonë ‘Ju ankoheshit për korrupsionin në vendin tonë, shikoni se çfarë po ndodh në vendin tuaj’. Të paktën ne e zbulojmë dhe marrim masa. Përgjegjësia bën ndryshim të madh”, tha Borrell.
Për këtë arsye, Borrell deklaroi se kanë krijuar një “observator global për luftën kundër imunitetit” dhe tha se observatori do të mbledhë informacione për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe shkelje të tjera të rënda të të drejtave të njeriut. Ai njoftoi se për këtë do të ndajnë 20 milionë euro.
Komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, tha se lufta kundër korrupsionit është një detyrë kritike për Evropën.
“Ne duhet ta bëjmë atë në shtëpinë tonë së pari. Standardet tona duhet të jenë gjithmonë më të lartat. Këtë veprim që presim nga të tjerët, së pari duhet ta kërkojmë për veten tonë”, tha Johansson.
Gjashtë persona, mes tyre edhe deputetja greke, Eva Kaili, u arrestuan më 9 dhjetor me dyshimin për marrje ryshfeti, korrupsion dhe krim të organizuar për kryerjen akteve në dobi të një vendi të Gjirit, ndërsa dy persona tjerë u lanë të lirë.
Kaili, nënkryetarja e shkarkuar e PE-së, do të dalë sot për herë të parë në gjykatë në Bruksel.
Borrell për shkeljet ndaj palestinezëve: Edhe pse e di që do të kritikohem shumë, më duhet ta them
Borrell në fjalën e tij foli edhe mbi shkeljet e të drejtave të Izraelit ndaj palestinezëve.
“Çfarë po ndodh në Palestinë? Më vjen keq, por duhet ta them këtë edhe pse e di që do të kritikohem shumë. Duhet të kujtojmë se më shumë se 100 njerëz u vranë nga forcat izraelite të sigurisë në Palestinë këtë vit. Nuk e mohoj që ka probleme sigurie. Unë kam shprehur vazhdimisht shqetësimin tonë të fortë dhe kam dënuar për nivelin e lartë të dhunës në Bregun Perëndimor të pushtuar”, tha Borrell.
Viti më i përgjakshëm në Bregun Perëndimor në 16 vitet e fundit
Kohëve të fundit, ushtria izraelite ka shtuar bastisjet dhe operacionet e ndalimit në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Përveç plumbave të gomës, ushtarët izraelitë përdorin shpesh plumba të vërtetë ndaj palestinezëve që protestojnë kundër bastisjeve. Ka përleshje mes grupeve palestineze dhe ushtarëve izraelitë në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, veçanërisht në zonat Jenin dhe Nablus.
Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), që kur OKB filloi të mbledh të dhëna në rajon në vitin 2005, viti 2022 u regjistrua si viti më i përgjakshëm në Bregun Perëndimor.
Sipas shifrave, 217 palestinezë u vranë në këtë vit, përfshirë 165 në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe 52 në Gazën e bllokuar, prej të cilëve 48 janë fëmijë.
Numri i palestinezëve të vrarë nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor në nëntor të vitit 2022 ishte 17. Numri i palestinezëve të vrarë nga zjarri i ushtarëve izraelitë ka kaluar 10 vetëm në dy javët e fundit.
OKB-ja njoftoi se këto vdekje “në shumicën e rasteve ndodhën për arsye që dukeshin si përdorim joproporcional dhe përdorim i forcës vdekjeprurëse nga forcat izraelite të sigurisë”./FolDrejt/