Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev tha se bota nuk duhet të harrojë kurrë masakrat që Franca ka kryer në Algjeri.
Presidenti Aliyev, si kryetar aktual i Lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara mbajti një fjalim në Samitin e 31-të të Ligës Arabe që u zhvillua nën kryesimin e Algjerisë dhe uroi Algjerinë për 68-vjetorin e luftës për pavarësi të emërtuar si Revolucioni i Pavarësisë që shpërtheu më 1 nëntor 1954, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Aliyev vizitoi memorialin e dëshmorëve dhe muzeun kombëtar të muxhahidëve të Algjerisë të ndërtuar në përkujtim të algjerianëve që humbën jetën gjatë periudhës koloniale franceze. “Sot vizitova memorialin e dëshmorëve dhe muzeun kombëtar të muxhahidëve të Algjerisë. Këtu u preka shumë nga masakrat që Franca ka kryer kundër popullit algjerian. Bota nuk duhet të harrojë kurrë këto masakra të Francës në Algjeri”, tha ai.
“Franca e pushtoi Algjerinë për më shumë se 130 vjet dhe shkaktoi vdekjen e mbi 1.5 milionë njerëzve”, theksoi Aliyev duke shtuar se heroizmi që populli algjerian paraqiti kundër kolonializmit francez do të vazhdojë të mbetet një kujtim i madh në kujtesën e njerëzimit.
Ai vuri në dukje se vendi i tij ka marrëdhënie të mira me Ligën Arabe dhe si Lëvizje e Vendeve të Paangazhuara dëshirojnë të solidarizohen dhe të forcojnë marrëdhëniet me vendet arabe.
Duke rikujtuar se mbi 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit u pushtua nga Armenia, Aliyev tha se Armenia lidhur me këtë pushtim nuk zbatoi asnjë rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Azerbajxhani në përputhje me rezolutat e OKB-së përdori të drejtën për mbrojtjen e territorit të tij dhe e detyroi Armeninë të tërhiqet nga territoret”, tha Aliyev i cili shtoi se Azerbajxhani ka çliruar territoret e tij të pushtuara.
Presidenti azerbajxhanas tha se në emër të vendit të tij dhe Lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara mbështet Ligën Arabe të mbajtur në Algjeri dhe iniciativën e saj për “bashkimin e radhëve të vendeve arabe” në kuadër të kësaj dhe i shprehu falënderime presidentit algjerian për ftesën.
Në samitin që ka filluar në organizimin e Algjerisë marrin pjesë 16 liderë, përfshirë presidentin egjiptian Abdel Fattah Al-Sisi dhe emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al-Thani.
Ndërkohë ka mbetur i zbrazët vendi i Sirisë, për të cilën Liga Arabe ka pezulluar anëtarësimin në nëntor të vitit 2011.
Në samit marrin pjesë edhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev si kreu aktual i Lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara, presidenti i Senegalit, Macky Sall si kreu i Unionit Afrikan, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), Hissein Brahim Taha.
Nga Samiti i Ligës Arabe që do të zhvillohet nga liderët gjatë dy ditëve në Algjeri, pritet të merren vendime të rëndësishme lidhur me çështje të tilla si mbështetja për çështjen e Palestinës, sigurinë ushqimore, luftën kundër terrorizmit dhe çështjet rajonale./FolDrejt/