Frank Lampard është rikthyer te Chelsea dhe do të marrë detyrën e trajnerit të përkohshëm deri në fund të këtij sezoni, njoftoi të enjten klubi i Stamford Bridge. Golashënuesi rekordmen i klubit kishte kaluar tashmë 19 muaj në pankinën e Chelseat përpara se të shkarkohej në janar 2021.
“Ne jemi të kënaqur të mirëpresim Frankun në Stamford Bridge” thanë bashkëpronarët Todd Boehly dhe Behdad Eghbali në një deklaratë në faqen e internetit të klubit. Lampard drejtoi Evertonin deri në janar të këtij viti, nga i cili u shkarkua për shkak të rezultateve të dobëta.
Chelsea i kanë mbetur edhe nëntë ndeshje
“Ndërsa ne vazhdojmë kërkimin intensiv për një trajner të përhershëm, ne duam t’i mundësojmë klubit dhe tifozëve që të kenë një plan të qartë dhe të qëndrueshëm deri në fund të sezonit. Ne duam t’i japim vetes një shans për të pasur sukses, dhe Frank ka të gjitha karakteristikat dhe cilësia për të na çuar drejt objektivit”, tha klubi.
Chelsea ka ende nëntë ndeshje në Premier League dhe ndeshje akoma më të rëndësishme në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve kundër kampionëve në fuqi, Real Madrid, të cilat janë planifikuar për 12 prill në Spanjë dhe 18 prill në Stamford Bridge, transmeton Fol Drejt.