Sot Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e radhës, të 149-tën me radhë.
Në këtë mbledhje mori pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili fjalimin e tij e nisi me falenderim dhe mirënjohjen ndaj mërgatës, transmeton Fol Drejt.
“Si çdo herë kur çel vera, Kosova ju pret me krahët hapur, me zemrën plot e me mall të madh, më të dashurit tanë që gjenden larg nesh.
Mirë se vini në shtëpinë tuaj. Rikthimi juaj në atdhe, në shtëpitë e juaja në Kosovë shënon një moment i veçantë për të gjithë ne, pasi shprehë lidhjen e përjetshme e cila tejkalon kufijtë dhe kohën. Edhe këtë vit lë të përjetojmë së bashku bukuritë e natyrës dhe trashëgimisë sonë kulturore. Le t’i lidhim gjeneratat e reja me tokën e tyre e le të mësojmë prej më të moshuarve.
Në gjuhën tonë qëndrojnë mrekullisht dy fjalë për vendlindjen: mëmëdheu e atdheu, toka e nënës dhe e babait. Prandaj edhe lidhja juaj me Kosovën është shumë e thellë. Në këtë drejtim më lejoni që të ju falënderoj për përkushtimin tuaj për të ruajtur traditat tona, rolin tuaj të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, social dhe politik të Kosovës.”, tha ndër tjerash kryeministri Kurti.
Adresimi i plotë i kryeministrit Kurti:
“Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,
Të dashur qytetarë,
Si çdo herë kur çel vera, Kosova ju pret me krahët hapur, me zemrën plot e me mall të madh, më të dashurit tanë që gjenden larg nesh.
Të dashur mërgimtarë,
Mirë se vini në shtëpinë tuaj. Rikthimi juaj në atdhe, në shtëpitë e juaja në Kosovë shënon një moment i veçantë për të gjithë ne, pasi shprehë lidhjen e përjetshme e cila tejkalon kufijtë dhe kohën. Edhe këtë vit lë të përjetojmë së bashku bukuritë e natyrës dhe trashëgimisë sonë kulturore. Le t’i lidhim gjeneratat e reja me tokën e tyre e le të mësojmë prej më të moshuarve.
Në gjuhën tonë qëndrojnë mrekullisht dy fjalë për vendlindjen: mëmëdheu e atdheu, toka e nënës dhe e babait. Prandaj edhe lidhja juaj me Kosovën është shumë e thellë. Në këtë drejtim më lejoni që të ju falënderoj për përkushtimin tuaj për të ruajtur traditat tona, rolin tuaj të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, social dhe politik të Kosovës.
Ecja jonë e shpejtë drejt zhvillimit dhe përforcimit të vendit është më e lehtë kur në mendjen tonë e dimë që e kemi mbështetjen tuaj. Prandaj, kontributi juaj ndihet te të gjithë sektorët e vendit dhe ne jemi pafundësisht falënderues për angazhimin dhe rolin tuaj të vazhdueshëm për zhvillimin e vendit.
Siç mund ta dini kemi filluar rregullimin, zgjerimin dhe shtrimin e rrugës Prishtinë-Podujevë. Kjo nuk është rrugë vetëm për qytetarët e Llapit, por kjo në të vërtetë është rruga e mërgatës.
Shumë shpejtë kur të kaloni nga Merdarja për në Prishtinë, e nëpër shtëpitë tuaja gjithandej vendit, rruga do të jetë vetëm njëra prej gjëra që do e shihni se si edhe këtu mund të bëhet mirë e drejtë, njësoj sikurse edhe në vendet ku jetoni e veproni.
Për t’u siguruar që koha juaj në vendlindje do të jetë vërtetë e këndshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka hartuar një listë të gjatë të aktiviteteve të dedikuara veçanërisht për ju, duke përfshirë fushën sportit, kulturën dhe ndërlidhjen e gjeneratave të reja me vendin e tyre përmes kampesh verore, eksperiencave kulturore, artistike dhe natyrore.
Në javën në vijim Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes platformës Shijo Kosovën, do të ju përcjellë të gjitha udhëzimet dhe informatat që ndërlidhen me këto aktivitete.
Mirë se vini në shtëpi të dashur bashkatdhetarë, mirë se vini në vendin tuaj. Le të jetë kjo verë një kohë e bashkimit tonë.
Me kënaqësi, ju mirëpresim sërish në Kosovë e mezi pres të ju takojmë, sa më shumë prej jush.
Sot e kemi thirrur këtë mbledhje të veçantë me vetëm dy pika e njëra nga ato është me rëndësi shumë të madhe, në përputhje me zotimin tonë, e siç kemi paralajmëruar në fillim të këtij viti, po e bëjmë reformën pensionale.
Qeveria e Kosovës po e ndërton një sistem pensional, solidar dhe të barabartë që garanton pensione stabile dhe kujdeset për pensionistët.
Kjo skemë e zhduk dallimin edhe margjinalizimin, e u garanton qasje në të mirat sociale të gjithëve. Këtë duhet ta bëjë Republika dhe këtë po e bëjmë së bashku.
Ju faleminderit!