Sipas mediave ndërkombëtare, nafta e papërpunuar Brent, standardi ndërkombëtar, u rrit me 2.50 dollarë për fuçi në 87.05 dollarë, ndërsa çmimet në SHBA u rritën gjithashtu. Izraeli dhe territoret palestineze nuk janë prodhues të naftës, por rajoni i Lindjes së Mesme përbën pothuajse një të tretën e furnizimit global.
Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit ishte përshkallëzimi më i madh midis dy palëve për dekada, ku vendet perëndimore i dënuan këto sulmet. Një zëdhënës i Hamasit, grupi militant palestinez, i tha BBC-së se grupi kishte mbështetje të drejtpërdrejtë për lëvizjen nga Irani, një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë.
Analisti i energjisë Saul Kavoniç i tha BBC-së se çmimet globale të naftës janë rritur për shkak të përshkallëzimit më të gjerë të situatës, që mund të përhapet në vendet e afërta të mëdha prodhuese të naftës si Irani dhe Arabia Saudite.
Sot në mëngjes, çmimi i naftës së papërpunuar të Teksasit Intermediate, pikë referimi në SHBA, u rrit 2,70 dollarë për fuçi në 85,50 dollarë.
“Nëse konflikti përfshin Iranin, i cili është akuzuar për mbështetjen e sulmeve të Hamasit, deri në 3% të furnizimit global të naftës është në rrezik,” shtoi z. Kavonic.
Caroline Bain, kryeekonomiste e mallrave në Capital Economics, i tha programit të BBC-së Today se Irani kishte rritur prodhimin e naftës gjatë këtij viti, pavarësisht sanksioneve të SHBA. Bain tha se Capital Economics priste që kërkesa për naftë të tejkalojë ofertën në tre muajt e fundit të vitit dhe kjo duhet të mbështesë çmime më të larta.
Kavonic tha se rreth një e pesta e furnizimit global do të mbahej peng nëse kalimi përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë jetike e tregtisë së naftës, ndërpritet. Ngushtica e Hormuzit është vendimtare për eksportuesit kryesorë të naftës në rajonin e Gjirit, ekonomitë e të cilëve janë ndërtuar rreth prodhimit të naftës dhe gazit.
Pasiguria se si mund të zhvillohen ngjarjet në ditët në vijim mund të nxisë gjithashtu investimet në bonot e thesarit të SHBA-së dhe dollarin, të cilat investitorët tradicionalisht i blejnë në kohë krize, tha James Cheo nga banka HSBC. Të hënën, banka qendrore e Izraelit tha se do të shesë deri në 30 miliardë dollarë valutë të huaj në një përpjekje për të qetësuar tregjet dhe për të mbështetur monedhën e vendit, shekelin, e cila ka rënë ndjeshëm.