Moska dhe Beogradi po bien dakord për vizitën e ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiq në Rusi, tha ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov.
Lavrov u tha gazetarëve në Moskë se Perëndimi e pengoi vizitën e tij në Beograd në korrik të vitit 2022, “duke i detyruar fqinjët e Serbisë të mos lejojnë kalimin e avionëve rusë”, raporton agjencia TASS.
“Ne ramë dakord me Ivica Daçiqin, mikun tim të mirë të vjetër, që në këtë situatë ai të vinte në Rusi. Tani jemi dakord për data specifike”, tha Lavrov.
Lavrov deklaroi se nuk e përjashton mundësinë që fjalët e tij të shkaktojnë “një kërkesë tjetër të pacipë nga Perëndimi që Ivica të mos shkojë në Rusi”, por shtoi se Moska “ka një marrëveshje të tillë” me shefin e diplomacisë serbe.
Vizita e Lavrov në Beograd ishte planifikuar për 6 dhe 7 qershor të vitit të kaluar, por nuk u realizua pasi Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi refuzuan të sigurojnë një korridor ajror për avionin e kreut të diplomacisë ruse.
Lavrov tha se përfaqësuesit e Rusisë dhe Serbisë mbajnë rregullisht kontakte dhe shtoi se Moska i është shumë mirënjohëse presidentit Aleksandar Vuçiç dhe kryeministres Ana Brnabiq dhe ministrave në qeverinë serbe, “që janë të hapur për kontakte” me ambasadorin rus Aleksandar Bocan-Kharchenko.
“Ato kontakte janë shumë të dobishme dhe ne gjithashtu kemi gjithmonë mundësinë të flasim në telefon. Unë jam duke pritur për vizitën e Ivica Daçiqit kur ai të vendosë se është koha e duhur”, tha Lavrov.
Ai shtoi se Rusia shpreh solidaritetin me popullin serb kur bëhet fjalë për pozicionin sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nga viti 1999.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin serb në pozicionin e tij për të mbështetur Rezolutën 1244 dhe për të respektuar të gjitha parimet për të cilat është rënë dakord nga bashkësia ndërkombëtare dhe miratuar nga OKB,” tha ai.
Ai iu referua edhe reagimeve të vendeve perëndimore për nënshkrimin e planit konsultativ nga Ministritë e Jashtme të Serbisë dhe Rusisë, në shtator të vitit 2022, gjatë seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. /FolDrejt/