Jens Stoltenberg pritet të qëndrojë në krye të NATO-s edhe për një vit, pasi përpjekjet për të gjetur pasardhësin e tij që do të merrte mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut kanë dështuar, sipas burimeve të NATO-s.
Vendimi zyrtar për vazhdimin e mandatit të tij me gjasë do të merret të martën e ardhshme në takimin e përfaqësuesve të vendeve të NATO-s në Bruksel.
Stoltenberg ka deklaruar disa herë në muajt e fundit se nuk dëshiron një mandat të ri, por sipas burimeve pranë tij, ai ka pranuar të vazhdojë punën.
Politikanët amerikanë kanë lavdëruar vazhdimisht Stoltenbergun për udhëheqjen e suksesshme të aleancës që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, dhe ndër ta ishte edhe presidenti amerikan Joe Biden, përcjell Fol Drejt.