Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar se partia e tij do t’ia përcjellë emrin e mandatarit të ri presidentit në një kohë të përshtatshme.
Bajqinovci deklaroi se këmbëngulja e presidentit Thaçi është e panevojshme në këtë kohë dhe se emrin do ia dërgojnë pasi të kalon pandemia.
“Në letrën e fundit që i ka dërguar kryeministri Kurti presidentit Thaçi nuk ka thënë se nuk do i dërgoj emrin por se në një kohë të përshtatshme do i dërgohet emri. Duke e pa pandeminë në gjithë botën presidenti merret me mandatarin e ri, e kemi sqaruar se në një kohë të përshtatme do e dërgojmë emrin kur të kaloj pandemia”, tha ai në Klan Kosova.
“Edhe luftrat janë ndalë kemi vende nëpër botë që pozitë-opozitë janë bërë bashkë kundër koronavirusit, ndërsa Presidenti kërkon me bë mandatarin e ri, kemi zgjedhje deri në shkuarjen në zgjedhje e kemi Qeverinë në detyrë”, deklaroi Bajqinovci.
Bajqinovci theksoi se Qeveria në detyrë është duke bërë punë të mirë dhe se nuk ka zgjidhje tjetër pos zgjedhjeve pas pandemisë.
“Pas mocionit të mosbesimit vendi shkon në zgjedhje, duke iu referuar Arsim Bajramit si hartues i Kushtetutës së Kosovës. Me nenin 95 shkojmë në zgjedhje, kalon pandemia dalim e matemi”.
“Nëse nuk ka zgjidhje tjetër pos zgjedhjeve”.
Bajqinovci mes tjerash deklaroi se Qeveria Kurti është rrëzuar nga frika pas miratimit dhe zbatimit të ligjeve antimafia.
“Kurti nuk e ka kundërshtu dialogun, kjo Qeveri është rrëzu për shkaqe të ndryshme e konkretisht kur kanë ardh ligjet antimafia të kalojnë nëpër Kuvend, njerëzit aty janë frikësu dhe kanë tentu me çdo kusht me rrëzu këtë Qeveri”.
Bajqinovci tha se në zgjedhjet e ardhshme partner do të kenë qytetarët.
“Partner i preferuar tani nuk mund të them se kush është pasiqë është herët, partneri kryesor i joni do të jetë qytetari pasiqë ndoshta nuk do të kemi nevojë për partner koalicioni”.