Për shkak se mbrojtja e të akuzuarit Sasha Mirkovq, ish-nënkryetar i Komunës së Kllokotit, nuk ishte pajisur me shkresat e lëndës në gjuhën serbe të cilën e kupton i akuzuari, ka dështuar shqyrtimi fillestar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku i njëjti po akuzohet për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve.
Në fillim të seancës, mbrojtësi i të akuzuarit Mirkoviq, avokati Isa Salihi deklaroi se nuk mund të vazhdonin me shqyrtimin fillestar që i akuzuari të deklarohet, për shkak se të njëjtit ishin pajisur vetëm me aktakuzë në gjuhën serbe e jo edhe me shkresat e lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Mirëpo, konsideroj që ne nuk mund të vazhdojmë më tutje me këtë çështje edhe sa i përket deklarimit të sotëm për faktin se përveç aktakuzës që është përkthy në gjuhën e palës në gjuhën serbe, landa është e gjitha në gjuhën shqipe edhe pala nuk e kupton gjuhën shqipe”, tha avokati Salihi.
Lidhur me këtë çështje, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala pyeti prokurorin special Ilir Morina, nëse i kishte përmbushur obligimet ligjore dhe kishte pajisur palët me shkresat e lëndës.
Prokurori Morina, deklaroi se kishin dëshmi që e kishin dorëzuar aktakuzën në gjuhën serbe tek avokati paraprak Vasilije Arsiq dhe se me të njëjtin kishin rënë dakord që fillimisht të përkthehej vetëm aktakuza e tutje edhe pjesa tjetër e lëndës.
“I nderuar gjyqtar, ne kemi dëshmi se përmes postës kemi dorëzu aktakuzën në gjuhën serbe për të pandehurin, gjithashtu kemi dëshmi dhe që kemi dorëzu aktakuzën në gjuhën serbe te avokati paraprak Vasilije Arsiq, çështja e përkthimit të gjithë dosjes ka qenë çështje në diskutim me avokatin Vasilije Arsiq dhe ashtu si jemi dakordu jemi duke vepruar, ne jemi dakorduar që fillimisht aktakuza të përkthehet për shkak të urgjencës së procedurës pjesa tjetër e lëndës është në proces të përkthimit”, tha prokurori special Morina.
Po ashtu, prokurori special Morina deklaroi se kishte edhe deklarata të dëshmitarëve anonim, të cilat nuk ishin përkthyer dhe nuk i ishin nda të pandehurit për shkak se kishte urdhër të gjykatës dhe sipas atij urdhri të njëjtat nuk mund t’i ofroheshin palës.
Ndër të tjera, prokurori special Morina po ashtu deklaroi se dy ditë para seancës fillestare, kishin pranuar një autorizim nga avokati Salihi dhe kishin dëshmi që i njëjti kishte pranuar komplet shkresat e lëndës në gjuhën shqipe.
I njëjti po ashtu i propozoi gjykatës që të paktën shqyrtimi fillestar të mbahet, ashtu siç ishin pajtuar paraprakisht me avokatin Arsiq dhe të akuzuarin Mirkoviq.
Ndërsa, avokati Salihi deklaroi që konsideronte që nuk ishin plotësuar kushtet që të vazhdohet me shqyrtim fillestar.
Në këto rrethana, seance u ndërpre dhe e radhës është shtyrë në kohë të pacaktuar për shkak që gjykatësi Shala tha se pret nga ana e Prokurorisë Speciale që ta njoftojë kur përfundohet përkthimi i shkresave të lëndës, në mënyrë që të caktohet shqyrtimi fillestar për shkak se të njëjtit ishin të ngarkuar nga ana e përkthimeve.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 14 gusht 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Sasha Mirkoviq akuzohet se në periudhën kohore janar – shkurt 2021, në territorin e Komunës së Kllokotit, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, në bashkëkryerje me të dënuarin Bozhidar Dejanoviq dhe persona të tjerë, ka përdorur kanosje serioze ndaj qytetarëve të nacionalitetit serb, me qëllim të ndikimit në vullnetin e tyre zgjedhor, gjatë periudhës kohore para dhe gjatë Zgjedhjeve të Përgjithshme të Parakohshme Parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021.
Siç thuhet në aktakuzë, së bashku me kryetarin e Komunës së Kllokotit, të dënuarin Bozhidar Dejanoviq, kanë ushtruar presion dhe kërcënim serioz ndaj qytetarëve të nacionalitetit serb të Komunës së Kllokotit, duke u kërkuar që të votojnë për subjektet e caktuara politike, me kërcënimin se do t’i largonin nga puna, ashtu që Dejanoviq në cilësinë e kryetarit të Komunës, ka siguruar vota në mënyrë të kundërligjshme për subjektin politik “Lista Serbe”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Mirkoviq, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, ka siguruar vota me metoda të njëjta, për subjektin politik me numër 129 “Ujedinjina Zajdenica- Ardiana Hoxhiq”, duke i kanosur qytetarët me humbje të vendit të punës apo me humbjen e të drejtës në pagesë sociale dhe kështu kanë ndikuar dhe i kanë detyruar qytetarët që të votojnë në mënyrë të caktuar, përkatësisht për subjektin politik me numër 129 “Ujedinjina Zajdenica- Ardiana Hoxhiq”.
Me këtë, Sasha Mirkoviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimi të lirë të votuesve” e sanksionuar me nenin 210 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me një deri në pesë vjet burg. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.