Pas takimit të sotëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, ka reaguar edhe politikanja e cila vjen nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku.
Ajo e ka akuzuar kryeministrin Kurti se e ka pranuar në Ohër marrëveshjen e cila në krye të saj e ka mosnjohjen reciproke, e në qendër e ka jo vetëm asociacionin, por potencialisht edhe autonominë politike.
Ky është postimi i plotë i Çitakut në profilin e saj në rrjetin social Facebook:
Kryeministër,
Ju në Ohër e keni pranuar një marrëveshje e cila në krye e ka mosnjohjen reciproke, e në qendër jo vetëm asociacionin, por edhe potencialisht autonominë politike.
E sa për njohje de facto, ai realitet ekziston shumë kohë para jush.
Sidoqoftë, një situatë si kjo sot, ku barrën e dështimit të procesit, sipas ndërmjetësve, e merr Kosova, do ta paguajmë rëndë.
Arroganca e frazeologjia boshe e populliste nuk pinë ujë as në Bruksel e as në Washington.
E Serbia është po ajo që ka qenë gjithmonë. Si në Rambuje, njejtë edhe në Vienë më vonë, e tash në Bruksel.
Po fati i Serbisë nuk është brenga jonë. A duan të hyjnë ata në BE a jo, është zgjidhje e tyre.
Ne duhet të brengosemi për të ardhmen evropiane të vendit tonë. /FolDrejt/