Dihet mirëfilli që njëra ndër teoritë në vjetra në lëmin e edukimit, bihejviorizmi, ndërtohet mbi premisën e shpërblimit dhe ndëshkimit, të sqarohemi fillimisht, asesi dhunës. Mirëpo, përveç ngërçit teorik për t’i dalluar këto dy koncepte: dhunë dhe ndëshkim, ekzisiton një hendek i madh në jetën praktike, jetësimin e këtyre termeve. Amullia thellohet edhe më tej kur mundehemi t’i ndajmë ndëshkimin dhe dhunën psikologjike, ndonëse nuk janë bashkë e as sinonime të njëra tjetrës.
Nga Lumi Hajra
Për ta bërë të qartë këtë dallim, iu referohemi fjalorëve gjuhësorë e shkencorë. Në aspektin gjuhësor, sipas Fjalorit Shqip-Shqip, nocioni ndëshkim njihet si “masë dënimi që merret për një faj, dënim: ndëshkim i lehtë (i rëndë); ndëshkim disiplinor”. Ndërsa, termi dhunë kuptohet si ushtrimi i forcës a shtrëngimi me mjete e me mënyra të vrazhda ndaj dikujt; detyrim a shtypje me anë të forcës; shnderim, poshtërim a turp i madh që i bëhet dikuj; e keqe; dëm”.
Kurse, me shqyrtimin e fjalorëve shkencorë me dhunë nënkuptojmë çdo fjalë, shikim, shenjë, ose akt që lëndon trupin, ndjenjat ose mendimet e një personi (Howard & Taylor, 2007: 23). Gjersa, dhuna psikike ndikon te nxënësit si trembje, habitet, mbylljes në vetvete e për këto shkolla është e shqetësuar. Por, edhe “zëri”, timbri i zërit, shpreh dhunë psikike, arrogancë apo një timbër zëri shpreh edhe qetësi dashamirësi, mirëkuptim. (Kraja, 2012). Në anën tjetër, ndëshkimi është një veprim (dënim), që merret ndaj një personi, i cili ka shkelur një rregull apo shfaq një sjellje jo të mirë dhe synon të kontrollojë sjelljen përmes mjeteve negative (Save the Children, 2006: 10). Kjo çështje problematizohet edhe më tutje kur ndëshkimi ndahet në fizik dhe verbal (disiplinë negative). Ndëshkimi fizik shkakton dhimbje emocionale apo fizike. Ndërsa, ndëshkimi verbal bëhet përmes qortimeve dhe mosaprovimeve verbale negative.
Ndaj, studiuesit duhet t’i kushtojnë një kujdes të veçantë kësaj tematike, ngase nga kjo derivojnë edhe relacionet prind-fëmijë, mësimdhënës-nxënës, e kështu me radhë. Po ashtu, çdo hulumtim që ka për qëllim dhunën, duhet ta ndajë atë nga ndëshkimi, si në definimet teorike, ashtu edhe në vëzhgimet praktike. /FolDrejt/