Profesori, publicisti e shkrimtari Milazim Krasniqi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka publikuar tri teza për Serbinë në tri postime të njëpasnjëshme.
FolDrejt ua sjell të plota këto tri teza të profesorit:
1. Serbia është peng i Rusisë. Serbia pohon se Rusia ia mbron Kosovën, ndërsa Putini e krahason aneksimin e Krimesë me Kosovën, me çka tregon se interesi i Rusisë në Krime është i kundërt me interesin e Serbisë në Kosovë. Ama Serbia shtiret sikur nuk merr vesh. Në vend se të pranojë realitetin e shpërbërjes së ish federatës jugosllave, ku Kosova ishte njësi federale e të përqafojë vlerat e BE-së dhe ashtu të bëhet një shtet normal evropian, Serbia vazhdon të jetojë në të kaluarën e Versajës/Jajces/Zhablakut dhe të varë shpresat te Rusia, e cila pas këtij agresioni kundër Ukrainës, nuk do të jetë e aftë të ndihmojë as vetveten. Rusia do të fillojë të shpërbëhet edhe vetë. Ama Serbisë i është ndalë sahati. Kur diçka është pa lidhje, në nivel të budallallëkut, serbisht thonë: “Serpska posla.” E pakta ia kanë gjetur formulën budallallëkut të vet.
2. Njëra nga mjetet për ta frenuar Serbinë rusofile është destabilizimi i vetë Serbisë. Nëse Serbia nuk i bashkohet Bashkimit Europian dhe SHBA-së në sanksionet kundër Rusisë, destabilizimin e vet e ka të pashmangshëm. Sanksionet më të buta që mund t’ia vendosin nga BE, Serbinë e qesin në kokërr të shpinës. Pse? Sepse eksportet e Serbisë, mbi 70%, shkojnë në tregun në Bashkimin Europian. Nga ana tjetër, borxhi i jashtëm i Serbisë është mbi 32 miliardë dollarë. Nëse i bllokohen eksportet, Serbia nuk arrinë të shlyejë as borxhet. Dhe kollapsin e ka të paevitueshëm. Qat’herë ngihen me nanën Rusi!
3. Serbia është shtet me një rrethim të theksuar armiqësor. Marrëdhëniet e këqija të Serbisë me Bosnjen, me Kroacinë, me Malin e Zi dhe me Kosovën, janë barrë për ekonominë dhe shtetin serb, sepse harxhohen shumë para e shumë energji për të bërë presion mbi këto shtete. Por, fronti antiserb tashmë po profilizohet dhe po fuqizohet edhe në rajon. Po të mos ishin lojërat me “Ballkan Open” Serbia sot do të ishte tërësisht e izoluar në rajon. Por, pas refuzimit të Serbisë që të vendos sanksione kundër Rusisë, presioni mbi Serbinë do të jetë ngulfatës. Shtetet e rajonit çlirohen nga presioni i Serbisë dhe mund të fitojnë rëndësi më të madhe gjeopolitike dhe ekonomike./FolDrejt/