Rrjedhja e dokumenteve të klasifikuara amerikane për Ukrainën ka komplikuar marrëdhëniet e Uashingtonit me aleatët e tij, raportoi New York Times, duke cituar zyrtarë amerikanë.
“SHBA nuk i beson më askujt, madje as aleatëve të saj më të afërt”
Sipas NYT , Uashingtoni nuk i beson askujt, madje as aleatëve të tij, sepse dokumentet e fundit sekrete të Pentagonit të zbuluara në publik tregojnë se “jo vetëm që amerikanët kanë fuqinë e inteligjencës për të depërtuar në strukturat ushtarake dhe të sigurisë ruse, por ata po spiunojnë edhe vetë ukrainasit dhe, le të themi, koreano-jugorët”, përcjell Fol Drejt.
“Tani ka dyshime midis vendeve aleate për aftësinë e Uashingtonit për të mbajtur sekretet e tij”, shkruan gazeta, duke shtuar se SHBA duket se po spiunon, jo vetëm Ukrainën, por edhe aleatët e rëndësishëm si Izraeli dhe Koreja e Jugut.
FBI nisi një hetim
Sipas zyrtarëve amerikanë, FBI-ja amerikane nisi një hetim mbi burimin e rrjedhjes të premten, tha gazeta. Një zyrtar i lartë amerikan i tha New York Times se rrjedhja përfaqësonte një “shkelje të madhe në inteligjencë”. Dokumentet e zbuluara duket se janë inteligjencë legjitime, por të paktën një nga dokumentet është ndryshuar nga origjinali, thanë zyrtarët.
Më herët sot, New York Times raportoi, duke cituar zyrtarë të njohur me këtë çështje, se një grup i ri dokumentesh të klasifikuara mbi Ukrainën, Kinën dhe Lindjen e Mesme ishte zbuluar./FolDrejt/