Ish-kryetari i komunës së Ferizajt, Adem Salihaj, ka ndërprerë angazhimin e tij partiak në LDK.
Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë Salihaj, nëpërmjet një postimi në Facebook, në të cilin ka kujtuar historikun e tij të angazhimit në LDK duke falenderuar mbështetësit në rrugëtimin e tij dhe duke synuar që t’u hapë rrugë të rinjve.
“Shpresoj se do të gjenden njerëz që do ta vazhdojnë vizionin rugovian dhe frymën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, tri shtyllat kryesore dhe tri vlerat më të mëdha të partisë sonë, të vendosura nga Presidenti Rugova. Unë dëshiroj që, tash e tutje, t’i përkushtohem familjes dhe shkrimeve.
Me këtë rast unë dëshiroj t’ju falenderoj të gjithë ju veç e veç për gjithë përkrahjen që më keni dhënë në vazhdimësi në periudha të ndryshme dhe për gjithë kontributin që keni dhënë për disa dekada për Ferizajn dhe Kosovën.”, është shprehur ndër tjerash ish-kryetari Salihaj./FolDrejt/