Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Gazmend Hoxha, me stafin e lartë menaxhues dhe me bashkëpuntorë nga ICITAP-i Amerikan, gjatë ditës së sotme ka qëndruar për vizitë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, atje ku gjenerata 58-të e kadetëve policor është duke vijuar trajnimin themelor, i cili është në fazën përfundimtare, transmeton Fol Drejt.
Drejtori Hoxha, gjatë kësaj vizite inspektoi paradën policore dhe njëherit iu drejtua kadetëve me një fjalë rasti, ku çmoi lartë angazhimin e tyre dhe sfidat nëpër të cilat kanë kaluar gjatë kësaj faze trajnuese, e cila iu ka ofruar atyre mundësinë që të jenë zyrtarë policor të trajnuar sipas standardeve dhe praktikave më të larta ndërkombëtare të zbatimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Drejtori Hoxha, kërkoi nga kadetët që edhe pas përfundimit të trajnimit dhe daljes në detyrë zyrtare, të jenë të përkushtuar në zbatim të ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase.