Ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir urdhëroi policinë të vazhdojë prishjen e shtëpive palestineze “të ndërtuara ilegalisht” sipas tij, në Kudsin Lindor të pushtuar gjatë muajit të bekuar musliman të Ramazanit, njoftoi sot transmetuesi publik izraelit KAN, transmeton Anadolu.
Ramazani, gjatë të cilit muslimanët agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, do të fillojë kah fundi i këtij muaji.
Izraeli nuk ka rrënuar shtëpi gjatë Ramazanit në vitet e kaluara për të shmangur provokimet dhe tensionet me palestinezët.
Ndërsa palestinezët e shohin politikën izraelite të rrënimit të shtëpive si një përpjekje për t’i dëbuar ata nga Kudsi Lindor dhe për të forcuar pushtimin izraelit të qytetit, autoritetet izraelite i konsiderojnë këto shtëpi ilegale të ndërtuara pa leje.
Ndërkohë, gazeta izraelite “Yedioth Ahronoth” tha se policia izraelite paralajmëroi Ben-Gvir se muaji i agjërimit të Ramazanit mund të jetë jashtëzakonisht problematik pasi tensionet tashmë kanë arritur kulmin mes tensioneve në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ben-Gvir, politikani i ekstremit të djathtë ka bërë thirrje për zhvendosjen e palestinezëve. Ai u është bashkuar vazhdimisht kolonëve izraelitë në hyrjen me forcë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor.
Në nëntor 2022, presidenti izraelit Isaac Herzog paralajmëroi në një audio e cila rrodhi në media se “e gjithë bota është e shqetësuar” për pikëpamjet ekstremiste të djathta të Ben-Gvir.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967. Izraeli aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980 në një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.
E drejta ndërkombëtare i konsideron Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor si territore të pushtuara dhe i konsideron të paligjshme të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve hebreje atje, raporton AA, transmeton Fol Drejt.