Me rastin e shënimit të 15 – tetorit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas Rurale, është hapur në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë panairi me produkte të grave në agrobiznes.
Rreth 20 agrobiznese në këtë panair kanë promovuar produktet me të cilat merren, si ajvari, turshitë, mjalti, arrorë e fruta të ndryshme, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në këtë panair që u organizua nga organizata “EcoKosWomen”, përpos grave në agrobiznes morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, tha se gratë në agrobiznes kanë thyer stigmën se bujqësia është vetëm për burra dhe punë e vështirë.
Peci tha se përmes dokumenteve strategjike ministria e konsideron gruan si të barabartë por edhe duke e favorizuar në mbështetje institucionale me qëllim që pozita e saj të forcohet dhe angazhimi saj të sjellë pavarësi financiare.
“Misioni ynë është që të transformojmë ekonominë agrorurale duke e bërë atë gjithëpërfshirës, produktiv, të qëndrueshëm dhe konkurrent në tregun e brendshëm dhe të jashtëm”, theksoi Peci.
Ngjarja u realizua nga organizata “EcoKosWomen” me mbështetjen e Projektit SIRED (Zhvillimi i Qëndrueshëm dhe Gjithëpërfshirës Ekonomik dhe Rural) nga Caritas-i zviceran./FolDrejt/