Në një aksion për të shtypur tregtinë e paligjshme botërore në rrjetin e errët – një pjesë e fshehur e internetit që është e padukshme për përdoruesit e zakonshëm, u arrestuan 288 persona dhe u sekuestruan 51 milionë euro në para të gatshme dhe valutë virtuale, sipas Shërbimit Policor Evropian (Europol).
Policia zbuloi dhe bllokoi platformën ilegale “Monopoly Market” dhe arrestoi 288 të dyshuar për përfshirje në blerjen dhe shitjen e drogës në rrjetin e errët, e cila nuk është e dukshme në shfletuesit e zakonshëm të internetit, shtoi Europol, përcjell Fol Drejt.
Janë sekuestruar 850 kilogramë drogë dhe 117 armë zjarri, sipas Europolit, i cili menaxhoi operacionin ndërkombëtar të quajtur “SpecTor”, ku morën pjesë nëntë shtete.
Është një vazhdim i aksionit të policisë gjermane, e cila ka sekuestruar infrastrukturën e paligjshme të asaj platforme kriminale të shitjes me pakicë në vitin 2021.
Europol mblodhi të dhënat bazuar në provat nga autoritetet gjermane dhe ai informacion “shërbeu si bazë për disa qindra hetime nëpër vende”, shpjegoi një deklaratë e Europol.
Arrestimet janë kryer në të gjithë Bashkimin Evropian, në Britaninë e Madhe (158), SHBA (55), dhe një person është arrestuar në Brazil.
Mes lëndëve narkotike të sekuestruara ishin më shumë se 258 kilogramë amfetaminë, 43 kilogramë kokainë, 43 kilogramë MDMA (substancë psikoaktive), më shumë se dhjetë kilogramë LSD dhe tableta ekstazi./FolDrejt/