Çmimi i naftës ruse Ural midis janarit dhe prillit të këtij viti shënoi rënie prej rreth 40 për qind krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të martën.
“Nafta bruto ruse Ural u tregtua me 51,05 dollarë për fuçi në periudhën janar-prill të këtij viti, krahasuar me 84,68 dollarë për fuçi në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar rënie vjetore prej 39,7 për qind”, thuhet në njoftimin për media të Ministrisë ruse të Financave, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Më tej shtohet se në prill të këtij viti është shënuar rritje e vogël e çmimit në 58.63 dollarë për fuçi.
Në dhjetor të vitit të kaluar, vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) ranë dakord për vendosjen e çmimit tavan prej 60 dollarë për fuçi për eksportet ruse të naftës bruto të transportuara nga deti.
Shumë vende që vazhdojnë të blejnë naftë ruse, veçanërisht Kina dhe India, po kërkojnë lirim të çmimit nga Rusia, sepse rrezikojnë shkeljen e sanksioneve./FolDrejt/