Punëtorët e sektorit publik këtë muaj i kanë marr pagat sipas ligjit të ri të pagave, por në shumë sektorë nuk janë ekzekutuar shtesat, shkruan Fol Drejt.
Në adresë të redaksisë kanë ardhur ankesa nga qytetarët të cilët punojnë në sektorin publik, që e konfirmojnë se pagat i kanë marr, por pa shtesat e parapara.
Mbrëmë Ministria e Financave (MF) dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se të gjithë zyrtarët publikë të Republikës së Kosovës, se sot do të disbursohen pagat e para sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik i cili ka hyrë në fuqi me datën 5 shkurt 2023:
“Komisionet për përcaktimin e shtesave të parapara me këtë ligj dhe aktet nënligjore që derivojnë prej tij, tashmë janë themeluar dhe janë duke mbledhur të dhënat nga institucionet përkatëse lidhur me zyrtarët që mund/do të përfitojnë këto shtesa, përfshirë këtu komisionet për shtesën për kushte specifike të punës, shtesën për kushte tregu dhe shtesën për ekspertët.
Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars.”, thuhet ndër tjerash në komunikatën e këtyre dy ministrive.
Sipas burimeve të Fol Drejt, vlera e shtesave, duke i përfshirë edhe ato për rrezikshmërinë, do të jenë më të ulëta./FolDrejt/