Kohë e gabuar për njerëzit e duhur
Shkruan: Fjolla Hajrizaj
Nuk dihet saktë kur bota që na rrethon mori teposhtëzen, megjithatë e tillë siç është i përjashton padrejtësisht ata që më së shumti punuan për ta ndreqë.
I përjashton padrejtësisht njerëzit që e tejkaluan vetveten dhe përtej vetes e kohës pa kohë kur jetonin qëndruan idealistë, si personazhet heroike të librave që karakterin e tyre e formësuan.
Të përjashtuarit e shekullit
Idealistët sipas peshores sime janë ata që nuk u lindën në një ambient mundësish por i krijuan ato nga hiçi dhe u munduan të frymëzojnë duke dhënë gjithmonë maksimumin. Ata që i përcaktuan qëllimet e tyre fisnike dhe luftojnë për to deri në vetëmohim. E veç nijetit të mirë, fatkeqësisht sot nuk është koha e tyre.
*
Zakonisht mëngjeseve zë një ulëse të autobusit për të shkuar deri te vendi i punës dhe në vend të kafesë kthjellem nga zhurmat e gjimnazistëve që supozohet të jenë duke shkuar në shkollë. E kam zakon të lexoj disa faqe libri deri të mbërrij në destinacion dhe kjo bën që shumica e tyre të regojnë si të shihnin një jashtëtokësor tek zbarkon në mesin e tyre, nganjëherë edhe tallen. Nuk e di kur u bë kaq i panjohur leximi për ata që pjesën më të mirë të karakterit të tyre do të duhej ta formësonin duke lexuar, por e kam përshtypjen që gjithnjë e më pak lexohet, gjithnjë e më keq po shkruhet shqip dhe gjithnjë e më shumë padituria dhe injoranca ngriten në piedestal. Kjo bëhet veçmas e dhimbshme kur ti je idealist, gati gati edhe bohem, që shpirtin nuk e tregton dhe nuk i bën vend në botën që ngadalë po humb fillin dhe ti shndërrohesh në të përjashtuarin e shekullit.
Më jep budallëkun te të jap para dhe famë
Nuk e di si erdhëm deri te trekëndëshi i jetës moderne këndet e të cilit formohen nga injoranca që sjell famë dhe para, por orë e ças’ shohim budallallëqe në internet, rrjetet sociale përdoren për të shpërfaqur si diçka krejt normale: injorancën, bullizmin, shantazhmin, avancimet jo meritore, faktin që analfabetizmi funksional po lulëzon dhe liria e shprehjes ka marrë kahe tjetër e veç liri s’është.
Dhemb që përveç se nuk po them asgjë të re, krejt këto po normalizohen dita e ditës dhe ti duke qenë idealist, ndihesh si Don Kishot i ri sepse armët me të cilat ti ke luftuar për të ndryshuar për të mirë botën që të rrethon janë të dala boje.
Në këtë kohë ti je veç një i pavend sepse të kesh një vend nderi këtu dhe tani, duhet të jetosh, veprosh e të jesh sipërfaqësor. Duhet të kesh ideal pamjen pa përmbajtje dhe t’i bësh kult asaj. Nuk njoha dot një nga ta, që e njohu poezinë “Barbara” ose “Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu”, apo një qe e di që poezia “Mall” e Kadaresë nuk ka veç një strofë… Ç’na duhet poezia në kohë si këto? Ndoshta veç për të më vrarë mua mos dashuria e tyre ndaj saj.
S’po shkohet as në shkollë
Sikur ta kishim bërë namin me emancipim në këtë kohë pa kohë është më normale të dihet skenari i serialeve banale që fshihen pas petkut të komedisë dhe emrit të lirisë në art, sesa ndonjë poezi që i mbijetoi kohës e pastaj të protestohet se nuk shkohet në shkollë.
Nuk them se në shkollë ka gjithmonë cilësi dhe mësues të mirë, por qysh është moti kthehet gëzofi.
Të jesh idealist do të thotë që të ndihesh aq shumë sikur nuk përket më në këtë vend dhe në mesin e këtyre njerëzve, sa të reduktosh ose të mos kesh më as ëndrra. E mira që ëndërroje nuk duket as larg në horizont.
Tiktoku jep rrogë më të mirë për kryesisht budallallëkun se të profesorit/eshës që kaloi dekada në shkollë, mes librash e shpresës për të udhërrëfyer.
Përtej gjykimit të prerë se çka është mirë e çka keq “na duhet të merakosemi për këtë punë”, se çfarë gjeneratash po krijohen dhe çka do të konsiderohet vlerë në të ardhmen e afërt: sipërfaqësorja, injoranca, artificialja, çka?
Çka pastaj?
Çka do të ndodhë me idealistët në këtë nënqiell, nga t’ia mbajnë ata apo të heqin krejt dorë nga vetja për t’u përshtatur në tallava sistem? Çka do të ndodhë me krijesën që u krijua për të qenë më e përsosur sesa të tjerat, por që çdo ditë e më shumë po sharron drejt shkatërrimit të vetes dhe botës që e rrethon? Kush ua kthen idealistëve kohën e mohuar dhe vendin e premtuar? Apo mos ndoshta do t’u duhet të bëhen dele dhe të ecin në tufë, sepse kështu siç mbetën do të harrohen shpejt e krejt? Athua vetmia do të jetë shpërblim i krejt atyre që shkuan kundër rrjedhës, kultivuan dhe ruajtën idealet më fisnike, ushqyen mendjen e shpirtin çdo ditë për të parë dritën, për të prekur të mirën dhe për të bashkëjetuar me të?
Koha e gabuar për njerëzit e duhur nuk qenka thjesht një mit!/FolDrejt/