Si duket asgjë nuk mjafton që shoqëria jonë ta gjejë mesin e artë* në mendime që të çojnë në veprime. Asgjë nuk mjafton që të gjendet gjuha e përbashkët e tolerancës për të ndryshmen dhe të veçantën. Sado që përgjithësimet nuk i bëjnë nder askujt, në të vërtetë nëse veç një ditë bën rojë në rrjete sociale apo në vendet e shumë frekuentuara si kafenetë apo qendrat tregtare nuk është zor të shohësh se sa problem është gjetja e mesit në mes nesh.
Shkruan: Fjolla Hajrizaj
Ditët kalojnë dhe individët e grupet i gjejnë duke rrëshqitur nga ekstremi në ekstrem. Individët dhe grupet të fragmentuar në shumë linja mendimi dhe veprimi, ndahen kryesisht në të rrallët që mendojnë me kokën e tyre dhe punojnë për të mirën dhe të drejtën, demagogët që ndryshe bëjnë, ndryshe flasin dhe janë ata që s’janë, si dhe një grup tjetër jo i vogël që në mendime dhe veprime janë totalitarë dhe duan që shoqëria të funksionojë sipas parimeve mendje ngushta dhe injorante të tyre. Të tillët shajnë viktimat, mësojnë dhe ushqejnë trajtimin e pabarabartë të të tjerëve, paragjykimin shumëdimensional të individit duke u nisur nga përkatësia e tij familjare, rajonale, shtresa ekonomike, niveli i edukimit, mënyra se si flet duket dhe krejt çka ai individ përfaqëson. Të tillët mendojnë dhe udhëzojnë të tjerët që të përjashtojnë krejt individët që janë ndryshe nga ata, ani pse ka shumë gjëra që në jetë individi nuk i zgjedh. Për aq kohë sa nuk janë në lëkurën e tjetrit, nuk prishë punë nëse e kryqëzojnë, nëse ia bëjnë jetën më të vështirë, nëse nuk i lënë vend askund. Nga ana tjetër, do vazhdoj ta mbroj me fanatizëm mendimin se prindërimi te disa është thjesht mision egoist sepse duan që të kenë pas vetes një krijesë, trashëgimtar që u përngjan nga sjelljet dhe botëkuptimet e duke qenë se fëmija është imitues besnik, ata ia arrijnë ta përcjellin egoizmin e tyre te fëmija që ende nuk është në gjendje të mendojë dhe reflektojë dhe kësisoj gatuajnë një individ që e ndryshmja sado normale që të jetë do t’ia zë udhën. Pra, formësojnë një individ që më vonë do të mendojë se ndarja mes qytetarit e katundarit, të pasurit e të varfërit, atij që e do gjininë e njëjtë dhe atij që e do gjininë e kundërt është e thellë është mur ndarës që nuk duhet të rrëzohet për jetë të jetëve, paçka se mendjengushtësia është skllavëri, robëri, verbërim.
Të tillët, betonojnë një individ që mendon se dallimet fetare e gjinore i vënë vulën raporteve mes njerëzve, që viktimat e kërkojnë disi gjithmonë atë që u ndodhë, që raca së cilës ai i përket është kristal dhe të tjerat nuk bëjnë se nuk simbolizojnë sa duhet “pastërti”, që nuk është normale për njerëzit të jetojnë vetëm e që janë një mijë e një rregulla të pashkruara që vlejnë vetëm për gratë dhe jo për burrat ose anasjelltas. Kështu formohen individë të cilët mendojnë se diversiteti si parim është imoral, i pa denjë apo ndoshta dhe mëkat, por pikërisht këta që i bëjnë rojë moralit kanë nevojë që ta kenë atë si mburojë që i mbron nga vetja. Padyshim që ka edhe prindër që e kuptojnë kompleksitetin e prindërimit dhe e ndjejnë në palcë frikën se mos bota jashtë do t’i vë në kundërshti vlerat që ia kanë mësuar fëmijës/ve të tyre dhe ka individë në shoqëri para së cilëve duhet hequr kapelën, por nuk do të shkruaj për ata sot.
Ndikimi së pari familjar pastaj shoqëror për individin që nuk është mjaftueshëm i fortë dhe i guximshëm të ndahet nga turma është përcaktues për atë kush do të bëhet. Individin e bindin “se ai që ndahet prej kopesë përfundon si pre e ujkut”, sepse turma është ajo që është, është e forta. Kur shprehem kështu mund t’iu flas për vete dhe ndjej se kam folur edhe për ju: të ndahesh nga turma dhe të jetosh sipas parimeve të tua “demokratike dhe liberale” të bën që në shumicën e rasteve të jesh “i pavend”. Je prore i pavend në mes njerëzish dhe shoqërive që nuk e gjetën kurrë mesin. Arsimimi nuk po del të jetë armë mjaftueshëm e fortë për të ndihmuar luftimin e komplekseve dhe injorancës individuale që e ndikojnë për të keq jetën në komunitet. Utilitarizmi si doktrinë filozofike morale që mbahet mbi parimin e dobishmërisë, veprimet janë të drejta nëse synojnë arritjen e lumturisë dhe të gabuara nëse synojnë të kundërtën e lumturisë, nuk na bie taman. Jo pra, nuk na bie taman asgjë që i përngjan mesit dhe jo ekstremit.
Mesin në asnjë rast nuk mundemi ta gjejmë e as pranojmë edhe në qoftë se ajo nënkupton që njeriu të shoh punën e vet. Pra, asgjë nuk na konvenon dhe sado që përgjithësimet nuk i bëjnë nder askujt, shoqëria jonë nuk e gjen kurrë mesin, është shoqëri e ekstremeve, shoqëri e hendekut, shoqëri që bën prapakthehu, e krejt kjo në thelb e bën të pasqyrohet si e pashpresë dhe jo futuriste.
Si shoqëri do të mund të ishte më e mirë dhe më premtuese, po ta gjente ndonjëherë mesin dhe të mos e kërkonte atë vetëm nga politika, edukimin të mos e mendonte si diçka që nis e përfundon me shkollën, leximin të mos e shihte si diçka të dalë mode, kritikën si sulm personal, pastërtinë si parim që duhet të vlejë vetëm brenda shtëpive dhe oborreve të tyre, jetën e tjetrit si diçka mbi të cilën kanë të drejtë përfshirjeje dhe mbi të gjitha e para së gjithash të ndryshmen si diçka që duhet luftuar.
*Mesi i artë i referohet mesit të dëshirueshëm në mes të dy ekstremeve, njëra e tepërt dhe tjetra e mangët. Në këtë shkrim ka kuptimin e gjuhës së përbashkët që shoqëria kosovare sipas reflektimit të autores, nuk e gjeti kurrë./FolDrejt/