Në 110-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministrja Emilija Redzepi, së bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bënë homazhe fillimisht te Statuja e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Prishtinë, pastaj te varrezat e familjes Jashari, në Prekaz, dhe Kulla e Isa Boletinit, në Mitrovicë, ndërkaq zëvendëskryeministrja Redzepi bëri homazhe edhe te Lidhja Shqiptare e Prizrenit në Prizren, transmeton Fol Drejt.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u shpreh krenar për të gjithë ata që për dekada e shekuj kanë punuar palodhshëm dhe me vetëmohim ashtu që ne sot të gëzojmë lirinë që e kemi. Ai po ashtu tha se duhet të reflektojmë për obligimet që ende nuk i kemi përmbushur, duke dhënë zotimin që do të punohet çdo ditë të vitit që zotimet e heronjve tanë të realizohen përfundimisht.