Ministrja Gërvalla ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt dhe në fjalën e saj gjatë kësaj Konference, ajo ka kritikuar praninë e Ivica Daçiq, të cilin e ka quajtur si arkitekt të gjenocidit në Bosnjë e Kosovë, për çka edhe ka marrë duartrokitje.
E pyetur për atë se çka duhet të bëjnë qeveritë ndëkombëtare lidhur me drejtësinë dhe viktimat, Gërvalla ka vlerësuar se drejtësia është gjithmonë çelësi kryesor.
“Drejtësia është gjithmonë kyçe në këtë çështje, pra çështja e sjelljes së drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale në konflikt, është kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht detyrë e secilit”
“Si një vend që ka dalë nga gjenocidi, më pak se 30 vjet më parë, nuk besoj se mund t’ju tregoj shumë ju, se si të merreni me dhunuesit, e kryersit e kësaj dhune në vendin tonë, sepse ata kanë ardhur nga jashtë vendit”, ka thënë ministrja Gërvalla.
E menjëherë pas kësaj, Gërvalla ka kritikuar prezencën e Ivica Daçiq në këtë Konferencë, duke theksuar se ndihet e shokuar se si ka mundësi që njëri ndër përgjegjësit të japë këshilla lidhur me këtë çështje.
“Jam paksa e shokuar nga përbërja e panelit të fundit, me prezencën e arkitektit kryesor për kryerjen e gjenocidit në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Ta kemi këtu arkitektin kryesor, që të na tregojë këshilla në prani të viktimave dhe të mbijetuarave të kësaj dhune, na vë në mëdyshje që të mendojmë për vetë kuptimin e kësaj konference.
Kur flasim kaq shumë për viktimat dhe të mbijetuarat, duhet ta kemi së pari repsektin e tyre, e pastaj të flasim për rrethanat.
Më falni, por nuk dua të përgjigjem në pyetjen tuaj, jo në mos respekt ndaj jush personalisht, por duke u përpjekur të ndihmoj çdo të mbijetuar që të mos ketë nevojë që të përballet në një vend neutral me autorët e këtyre krimeve”, ka thënë Gërvalla, derisa salla ka shpërthyer në duartrokitje në shenjë përkrahjeje ndaj fjalimit të ministres Gërvalla./FolDrejt/