Ka ditë që në kryeqytet janë duke u zhvilluar punime të ndryshme në drejtim të rregullimit të infrastrukturës. Në njërën prej lagjeve, gjatë punimeve për shtrirjen e rrjetit të Termokosit, janë zbuluar themelet e asaj që besohet të ketë qenë godina e Hamamit të Vogël të Prishtinës. Këto themele, me gjasë, pa dashje, janë dëmtuar, por askush nuk ka reaguar për këtë punë, shkruan Fol Drejt.
Muamer Hasani nga GUIDEKS – Kosovo Tourist Guide Association, njëherësh edhe njohës i trashëgimisë kulturore islame në Kosovë, ka reaguar duke thënë se përkundër asaj që ky dëmtim i themeleve të hamamit të vogël, ka ndodhur javë më parë, askush nuk ka reaguar për këtë punë.
“Gjatë punimeve të shtrirjes së rrjetit të termokosit, është dëmtu një pjesë e çka besohet të jetë nga temeli i hamamit të vogël.
Pas luftës së dytë botërore gjatë viteve 1954-55 rrënohet një pjesë e madhe e pjesës së vjetër të qytetit, përfshirë çarshinë, hamamin e disa objekti tjera kulti. Mirëpo për dallim nga objektet tjera një pjesë e temelit të hamamit i kishte mbijetuar zhdukjes” – ka shkruar Hasani.
Sipas tij, rastet e tilla dëshmojnë se edhe reagimet tek ne janë “selektive” edhe kur bëhet fjalë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Muaj më parë u trazua opinioni publik nga pretendimet se gjatë punimeve, shatërvanit pranë Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë, i ishte ndryshuar destinacioni, meqë, sipas disave, ai ishte kthyer në avdeshane për besimtarët që e shfrytëzojnë xhaminë për rituale fetare. Duket që Hasani në reagimin e tij, aludon pikërisht te ky rast./FolDrejt/