Franca do të dëbojë gjashtë agjentë rusë që veprojnë nën mbulimin diplomatik pas një operacioni kundërspiunazhi në një rrjet klandestin, njoftoi qeveria franceze.
Ministria e Jashtme deklaroi se gjashtë agjentët rusë, aktivitetet e të cilëve rezultuan në kundërshtim me interesat kombëtare të Francës, janë shpallur persona non grata, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, shkroi në Twitter se ishte informuar për një “operacion të jashtëzakonshëm kundërzbulimi” nga Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë e Brendshme (DGSI) që “pengonte një rrjet agjentësh klandestinë rusë që punonin kundër interesave tona”.
“Agjentët e përfshirë do të duhet të largohen nga territori i vendit tonë” tha ai, duke përgëzuar punën e DGSI-së për mbrojtjen e interesave themelore të vendit.
Më herët gjatë muajit, Parisi dëboi 35 diplomatë rusë, aktivitetet e të cilëve sipas Francës ishin në kundërshtim me interesat e sigurisë. Dëbimi ishte pjesë e një nisme në mbarë Evropën pasi dolën në dritë mizoritë masive nga forcat ruse në qytetin e çliruar Bucha në Ukrainë./FolDrejt/